Një ditë më parë PD deklaroi se ka kërkuar nga Kuvendi nisjen e procedurave për të shkarkuar Bajram Begajn nga posti i presidentit. Gjatë një interviste të dhënë mbrëmjen e sotme në ‘’Opinion’’, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi renditi 7 shkelje të Kushtetutës nga ana e Begajt.
Ndërsa më tej shtoi edhe se PD do të depozitojë kallëzim penal ndaj Begajt të cilin e konsideroi si një njeri që kontrollohet nga kryeministri Edi Rama nëpërmjet shantazheve dhe akuzave për vepra korruptive.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Gazment Bardhi: Ne sulmojmë modelin që zgjedh Edi Rama për të qeverisur se nuk është Bajram Begaj. Bajram Begaj është një individ që e mori Edi Rama dhe e vuri president, pra në qindra intelektualë me integritet, profesionistë e me radhë, Edi Rama mori një njeri ekzaktësisht modelin që i dueht në institucionet shtetërore që mund të kontrollohet, një njeri që mund të akuzohet për afera korruptive, një njeri që mund të shantazhohet.
Blendi Fevziu: Pse niseni ju nga kjo dhe thoni, Presidenti i Republikës ka marrë edhe pëlqimin e SHBA-ve, ambasadës amerikane në Tiranë, ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i dekretuar nga ish-presidenti Meta që ishte aleati juaj…
Gazment Bardhi: Imagjinoni, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, paradite bënte shefin e Shtabit, pasdite bënte mjekun sepse kjo marrëdhënia me Acibadem është e shtrirë prej vitesh.
Blendi Fevziu: Duhet të jetë një gjë e verifikuar se unë nuk e di?
Gazment Bardhi: Jo, mjafton të hapni deklaratat janë zyrtare, janë publike, nuk është një fakt i fshehur.
Blendi Fevziu: Kjo tregon pozitivitet se dikush mund ta fshihte, mund t’i merrte ato lekë në dorë.
Gazment Bardhi: Jo, nuk mundet sepse është skemë klasike e deklarimit dhe justifikimit të pasurive se po të hapni pasurinë e presidentit, por kjo është një çështje që do të trajtohet me kallëzim penal ndaj tij…
Blendi Fevziu: Pse, presidenti ka shumë pasuri?
Gazment Bardhi: Presidenti është i vetmi njeri në këtë glob që vëllai i vet i blen shtëpi me para të fituara në emigracion, mami dhe babi blejnë një shtëpi dhe ia shesin presidentit për 2 milionë lekë të vjetra, është i vetmi njeri që duke punuar në ushtri ka privatizuar prona pa kundërshpërblim të ushtrisë, por këto janë histori që nuk kanë lidhje me Kushtetutën, prandaj ne nuk i kemi bërë publike.
Blendi Fevziu: Do t’i bëni?
Gazment Bardhi: Patjetër. Do të bëjmë kallëzim penal ndaj presidentit. A e dini ju që presidenti është sot pronar, nga një apartment 166 metër katrorë, sot është duke ndërtuar tri vila?
Blendi Fevziu: Ku e dini që po ndërton presidenti vila?
Gazment Bardhi: Ne jemi opozita e vendit që mbledhim informacione, verifikojmë informacione. Versus.al







