Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e sotëm pas protestës të mbajtur një ditë më parë në Tiranë, e thirrur nga Partia Demokratike, ku u shënuan dhe përplasje me policinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi protestën si një akt të papranueshëm dhune, duke e krahasuar me praktika të errëta të së kaluarës europiane dhe duke akuzuar organizatorët për përdorim sistematik të dhunës.
Kreu i qeverisë theksoi se, ndryshe nga grupimet e ndryshme protestuese që shfaqen në vende të ndryshme të Europës, vetëm një parti parlamentare sipas tij e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik që nga lindja.
Rama foli për mobilizim të personave të maskuar, përdorim molotovësh dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore, duke e cilësuar situatën si një “jashtëderdhje në rrugë e një plaku të lajthitur”.
Në fund të reagimit, kryeministri u shprehu solidaritet dhe urime për shërim të shpejtë punonjësve të policisë që mbetën të plagosur gjatë protestës, duke e quajtur turmën përgjegjëse “lukuni të verbër”.
Postimi i kryeministrit Rama:
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona… Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat! Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër.Versus.al
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e… pic.twitter.com/XT0HzmE98D
— Edi Rama (@ediramaal) January 25, 2026


