Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams prej të dielës ndodhet në Shqipëri për të zhvilluar një vizitë disa javë para përfundimit të mandatit të tij në krye të bashkisë më të madhe në Amerikë. Teksa mbërriti me helikopter në një prej rezidencave qeveritare në Vlorë, Adams tha se ftesa i ishte bërë nga vetë kryeministri Edi Rama.
“Gjatë viteve, kam komunikuar me kryeministrin Rama dhe i kisha dhënë fjalën se do të vija për të parë nga afër mundësitë për bashkëpunim në turizëm, biznes dhe siguri publike. Tani ishte momenti i duhur,” u shpreh Adams.
Ai tha se ishte i impresionuar nga mikpritja e shqiptarëve gjatë vizitës në terren ndërsa vlerësoi edhe sigurinë publike.
“Ky është një vend i mrekullueshëm. Njerëzit janë të jashtëzakonshëm dhe siguria publike është e admirueshme – mund të ecësh në çdo orë dhe të ndihesh i mirëpritur,” shtoi ai.
Më tej e vuri theksin edhe tek komuniteti i madh shqiptar në Nju Jork, të cilin e quajti një “urë lidhëse mes dy vendeve”:
“Nju Jorku është ‘Shqipëria e Amerikës’. Kemi një nga komunitetet më të mëdha shqiptare, dhe kjo vizitë është gjithashtu një mënyrë për të respektuar kontributin e tyre.”
Ndër të tjera zbuloi se po zhvillohen bisedime për të hapur një linjë ajrore direkt mes Nju Jorkut dhe Shqipërisë, siç është bërë më herët me Azerbajxhanin.
Më herët prestigjozja New York Times publikoi një artikull kritikues ndaj udhëtimit të Adams duke thënë se shpenzimet e tij do të paguhen nga taksapaguesit amerikanë dhe ata shqiptarë. Versus.al







