Të premten, administrata e Kuvendit u ka dërguar deputetëve të partive politike një listë me figurat kombëtare që duhen nderuar përgjatë këtij muaji pasi ditë të caktuara përkojnë me ditëlindjet e tyre.
Lista nis me ish-kryeministrin Sulejman Delvinën dhe vijon me Mbretin Zog, shkrimtarin Dritëro Agolli dhe ish-kryeministrin Bashkim Fino. Por në vazhdim, pjesë e listës është edhe emri i diktatorit Enver Hoxha për të cilin në përshkrimin e bërë thuhet “Udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës i Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANCC dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Pas cclirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumi të Kuvendit Popullor. Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste”.
Kjo gjë ka ngjallur reagime nga ana e opozitës, konkretisht tek deputetët Belind Këlliçi i PD dhe Erald Kapri i partisë “Mundësia”. Këlliçi e cilësoi “djallëzore” përpjekjen për të ringjallur mitet komuniste.
“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”, shkruan Këlliçi.
Ndërkohë, Erald Kapri nëpërmjet një videoje i kërkoi administratës së Kuvendit që të kërkojë ndjesë publike dhe ta tërheqë menjëherë dokumentin ku përmendet edhe emri i Hoxhës.
“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, thuhet në e-mailin që deputeti i partisë Mundësia i ka dërguar Kuvendit. Versus.al







