Teksa foli për shpenzimet e Shqipërisë në fushën e Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama tha se buxheti u rrit në shifrën e 2% ashtu siç e dikton detyrimi i një vendi anëtar të NATO-s.
Por shtoi se tashmë me rritjen e buxhetit ka pasur edhe shumë kompani të huaja të cilat ofrojnë pajisje ushtarake dhe armë të ndryshme për të shitur. Sipas Ramës, duhet të ketë një kujdes të veçantë në atë se çfarë blihet pasi qëllimi nuk duhet të jetë vetëm të mbushen depot plot me armë e pajisje të tjera që as nuk do të hyjnë në punë.
“Por një gjë besoj unë është shumë e qartë. Duke parë që tani që është kjo fryma e përgjithshme që do rriten buxhetet, na vijnë kompani nga katër anët e Europës, kemi këtë për të shitur, kemi atë për të shitur, blini nga ne makina, blini biçikleta. Është diçka që tregon se çështja nuk është sa para vëmë ne në dispozicion, por si i përdorim dhe si i kompletojnë panoramën e përgjithshme të vendeve europiane. Sepse Franca ka një ushtri të plotësuar dhe mund t’i bëjë vetë të gjitha. Por Shqipëria nuk e ka ushtrinë për këtë dhe si Shqipëria ka shumë vende. Ne duhet të jemi komplomentarë dhe për këtë arsye duhet një plan i mirëmenduar me procedura të qarta për të gjithë edhe me një garanci eficense në shfrytëzimin e parave që përdoren. Se nëse kjo bëhet për të vendosur një buxhet atëherë ne do kemi depot plot me lloj lloj mallrash që as nuk do i përdorim. Para disa javësh pata një bisedë me CEO-n e një rej kompanive më të mëdha të prodhimeve ushtarake në botë dhe më tha se kam vizituar një vend që ka blerë pafund armatime dhe akoma i kanë të pahapura, nuk i kanë futur në punë. Ne duhet të kuptojmë sesi do t’i rrisim kapacitetet dhe jo vetëm të rrisim buxhetin. Si të kemi një sistem mbrojtje të Europës më të plotë e të gatshëm”- u shpreh Rama. Versus.al







