
Ervin Salianji deklaroi nga takimi me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, se duhet të përgatiten për ndryshim.
Ish-deputeti i PD-së, akuzoi Edi Ramën se është një autokrat që ka shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri, duke përdorur shtrëngimet për vendet e punës dhe krimin e organizuar.
Nga ana tjetër kritikoi Partinë Demokratike se nuk është e aftë për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t'i fituar zgjedhjet.
Fjala e Salianjit:
"Partia Demokratike duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin. Ky ndryshim fillon edhe nga kjo sallë si takim i parë që po zhvillojmë me demokratët.
Nga ky brez që i dëgjuat pak më parë, nga kjo energji e pashtershme në PD por që nuk iu jepet mundësia për arsye që i dini. Shqipëria sot po plaçkitet. Shqipëria po shpopullohet, po plaket, sikur jeta e një kombi të kishte filluar numërimin mbrapsht.
Edi Rama është autokrati që përfaqëson një grusht njerëzish. 40 për qind e popullsisë është larguar. Kjo nuk është statistikë, është kambanë mortore për një komb. Shqiptarët janë krenaria jonë në çdo cep të globit.
Kemi dëbuar fytyrën më të bukur të Shqipërisë, por ata nuk e kanë harruar vendin. E duan Shqipërinë dhe presin nga ne një gjë të thjeshtë, t'i japim së bashku arsye që të kthehen në Shqipëri.
Sot është koha për të folur edhe për ne, demokratët. Edi Rama ka rrethuar votuesit. Përdor mjete të ndyra në politikë dhe ka prishur procesin politik në Shqipëri. Zgjedhjet janë si një luftë mes ndërvarësisë për bukën e gojës, shtrëngimin me vendin e punës, apo sipërmarrjen, zhvlerësimin e qytetarit të lirë apo krimit të organizuar.
Duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet, një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e PD si forca më e madhe opozitare në vend, për të qenë bindëse, për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t'i fituar zgjedhjet.
Unë kam një thirrje sot për të gjithë shqiptarët. Bashkohuni me ne. Do ta mundim Edi Ramën bashkë, të hapur të bashkuar, të ripërtërirë dhe do t'i sjellim Shqipërisë ndryshimin”.



