POLITIKË /

Sekretari i kryeministrisë në arrati? Rama hedh poshtë deklaratat e Berishës: Agaçi kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes, mjekohet në Itali

Rama tha se Agaçi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po mjekohet në Itali, ndryshe nga sa pretendohet nga kryedemokrati i Sali Berisha i cili ka deklaruar se sekretari i kryeministrisë është arratisur.

Shkruar nga Versus
Sekretari i kryeministrisë në arrati? Rama hedh poshtë deklaratat
Kryeministri Edi Rama dhe Ëngjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave

Kryeministri Edi Rama reagoi me revoltë ndaj deklaratave të bëra nga kryedemokrati Sali Berisha i cili pretendon se sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi është arratisur nga vendi dhe se SPAK i ka sekuestruar laptopin.

Ai sqaroi se Agaçi ka qenë në gjendje shumë të vështirë shëndetësore për shkak të një problem me zemrën dhe mushkëritë.

“Kam nevojë të ndaj dicka revoltuese me ju. Këneta është përballë një thatësire të madhe, maji do jetë përvelues për të dhe bufi e di këtë më mirë se kushdo tjetër. Prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, gruan nënën dhe të afërmit e tij me ferman të bufit që e shpalli sekretarin e përgjthshëm të kryeministrisë, një person në arrati nga drejtësia.

Ëngjëll Agaçi i përket ajkës së qeverisëse shqiptarë. Para disa kohësh u nis në Itali për arsye domethënëse shëndetësore. Kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes si pasojë e bllokimit të arterieve koronare për të cilin u operua në zemër. Pas operacionit pati një delje të mushkërive nga funksioni, gjë që solli intubimin e tij”- deklaroi Rama.

Duke reaguar ashpër ndaj Berishës, Rama tha se gjendja e sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave mbetet ende e rëndë dhe se mjekët italianë po e mbikëqyrin herë pas here.

“Pas një periudhe shumë të vështirë, vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve italianë për të rehabilituar mushkëritë e dëmtuar rëndë. Është e hatashme sesi pavarësisht se qeveria ka bërë njoftim, i sëmuri që lufton për jetën atje është bërë mish për qoftet e klubeve të natës, ekran më ekran këtu vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufës së kënetës”- deklaroi kreu i qeverisë.

 

Më herët ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm Bledi Çuçi i cili hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke theksuar se Agaçi ndodhet në Itali për trajtim mjekësor për shkak të problemeve të rënda shëndetësore. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: