
Kreu i qeverisë, Edi Rama përsëriti sërish faktin se bllokimi i kanaleve kullues dhe dalja nga shtrati i lumenjve, lidhet edhe me papërgjegjshmërinë në hedhjen e mbetjeve.
Sipas tij ndryshimet klimatike sjellin pasoja edhe më të mëdha kur ndihmohen nga këto faktorë si dhe nga djegia e pyjeve gjatë verës.
“Patjetër që kur ne vazhdojmë të hedhim plehrat rrugëve apo kur vazhdojmë t’u vëmë zjarrin pyjeve, pasojat e gjithë këtij ndryshimi klimatik rëndohen edhe më shumë. Siç ndodhi në Shkozet prej prurjes marramendëse të plastikës së mbledhur rrugëve nga lumenjtë e dalë nga shtrati që taposi kanalet e mëdhenj kullues”- u shpreh Rama.
Ndërsa dha shifra për situatën ku ndodhet vendi, Rama tha se reshjet e rëna në këto 4 ditëe tejkalojnë mesataren e një muaji dhe kjo gjë ka bërë që strukturat të kapen të papërgatitura.
“Aktualisht në të gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura së fundmi, përjashtuar Durrësin ku janë regjistruar 41 mm shi, një punonjës i bashkisë u gjet i mbytur. Deri tani në rang vendi janë numëruar 1587 banesa me praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona. Prania e ujit është konstatuar në 13.211 hektarë tokë bujqësore. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme deri në 300 mm. Një fenomen ky që si rezultat i ndryshimit të klimës u bë gjithnjë e më pak i papritur”- shtoi kryeministri. Versus.al


