
Për të dytën herë radhazi, policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e merr dot përsipër protestën kombëtare të thirrur nga PD para kryeministrisë.
Sot demokratët mbajnë protestën e katërt kombëtare për këtë vit. Tubimi nis në orën 18:00 dhe ka një thirrje kryesore, dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër. Informacionet që policia ka marrë janë se edhe në këtë protestë mund të ketë përshkallëzim të dhunës dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve.
Pavarësisht se nuk e merr përsipër mbarëvajtjen e protestës, policia është e detyruar nga ‘’ligji për tubimet’’ që të marrë masa për të garantuar sigurinë e rendit. Prandaj efektivët do të jenë në terren njëjtë si protestat e kaluara, por në rast përshkallëzimi, përgjegjës do të jenë organizatorët e protestës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.
Berisha ka njoftuar se në protestën që do të mbahet sot, do të ndiqet një qasje e re e cila mbetet për t’u parë. Versus.al


