Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe lëvizjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, duke siguruar se Shqipëria mbetet e palëkundur në strategjinë e saj të sigurisë.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Nufi theksoi se çdo politikë e sigurisë e ndjekur nga Shqipëria është në përputhje të plotë me standardet dhe orientimin e aleancës së NATO-s, duke e cilësuar këtë të fundit si garancinë kryesore për stabilitetin në rajon.
Ai nënvizoi se shqetësimet e ngritura nga Serbia, sidomos pas marrëveshjeve rajonale dhe deklaratave politike të fundit, nuk ndryshojnë qasjen e Shqipërisë, e cila mbetet e koordinuar ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Sipas ministrit, çdo perceptim pasigurie i krijuar në opinionin publik trajtohet me seriozitet nga institucionet shqiptare, por gjithmonë në bashkëpunim me aleatët, duke garantuar kështu sigurinë e vendit dhe të Kosovës.
Nufi shtoi se Shqipëria është në gatishmëri të plotë dhe e përgatitur në përputhje me doktrinën e NATO-s, ndërsa theksoi se qytetarët duhet të ndihen të sigurt përballë çdo zhvillimi në rajon.
Gazetarja: Serbia vijon të jetë e shqetësuar për marrëveshjen që ka Shqipëria-Kosova dhe Kroacia. Pas deklaratave të Ramës që një sulm ndaj Kosovës është një sulm ndaj Shqipërisë, Serbia ka nisur përgatitjet ushtarake në kufi me Kosovën.
Ermal Nufi: Së pari Republika e Serbisë i mitigon të gjitha rreziqet që pretendon si të sajat, Republika e Shqipërisë nga ana e saj të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën ku bëjmë pjesë. NATO është më e fortë në botë, qytetarët shqiptarë duhet të jenë të sigurt se e gjitha doktrina jonë, përgatitja jonë, është në përputhje të plotë me NATO dhe në këtë pikë siguria e qytetarëve shqiptarë dhe Republikës së Kosovës është e garantuar nga aleanca më e fortë në botë. Shqetësimet që mund të perceptohen përmes mediave, për Republikën e Shqipërisë përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe ne na bën të ndihemi të sigurt./Versus.al


