POLITIKË /

“Synojmë 1 mld euro eksporte bujqësore deri në 2030”, Rama: Do rrisim investimet në fshat

Shkruar nga Versus

“Synojmë 1 mld euro eksporte bujqësore deri në 2030”,

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në një konferencë të mbajtur nga Banka e Shqipërisë sa i takon investimeve në sektorin e bujqësisë. Guvernatori Gent Sejko e cilësoi sektorin e bujqësisë si më problematikun, ndërsa përmendi investimin prej 250 mln eurosh në këtë sektor.

Ndërsa kryeministri Edi Rama në fjalën e tij tha se në krahasim me vitin kur PS mori mandatin eksportet e bujqësisë janë rritur me 4 herë më shumë. Më tej kreu i qeverisë tha se ambicia është që brenda vitit 2030, eksportet bujqësore të kapin shifrën e 1 miliardë eurosh.

“Sot jemi në një moment kur të gjithë mund të ndihemi mirë për faktin se nga ai proces, prej disa takimesh zinxhir, kemi një produkt të kombinuar mes linjës së re të financimit të BSH dhe mbështetjes që qeveria do të japë duke arritur që përmes garancisë sovrane të mbulojë 70% të principalit të kredisë. Mund t’ju themi sot të gjithë atyre që presin e kërkojnë më shumë financim në sektorin e bujqësisë se norma e interesit do jetë vërtet shumë shumë tërheqëse dhe se ne nga ana tjetër me të gjithë dijen e fituar nga puna e madhe që na ka dhënë plot 500 projekte, falë ndërveprimit të agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe sektorit, do mund t’u gjendemi pranë fermerëve dhe sipërmarrësve në fshat në mënyrë që të rrisim me një shpejtësi shumë më të madhe sesa deri sot, volumin e investimeve. Në 1 miliardë euro eksporte, ne arrijmë të vendosim edhe bujqësinë në të njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme të Shqipërisë si një anëtar i ri i vogël në përmasë por dinjitoz nga performanca e përgjithshme në BE”- tha Rama.

Ndër të tjera foli edhe për paketën e maleve të cilën e konsideroi si një mundësi të mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët duan të investojnë në agroturizëm.

“Paketa e maleve u mundëson që të kenë garanci të plotë për investimin e tyre duke kaluar përmes një procesi shumë të shpejtë dhe të lehtësuar të njohjes të së drejtës dhe më pas të fitimit të titullit të pronësisë përmes investimit.

Kjo na ka munguar në të shkuarën dhe tani është aty gati. Kjo e bën të lehtë marrëdhënien mes një individi dhe banke për të financuar agroturizmin në një truall që nuk ka titullin përfundimtar të pronësisë.

Sapo të bëhet investimi, titulli i pronësisë i jepet investitorit. Barra e zgjidhjes së ankesave për pronësinë më pas i mbetet shtetit. Ne shohim se gjithmonë e më shumë ka interes nga shqiptarët që janë jashtë për të investuar në zonat ku kanë lindur. Paketa ka atraktivitet nga pikëpamja fiskale sepse jep një garanci të plotë për lehtësim 100% nga barra fiskale për një periudhë 10 vjeçare. Kjo do vlejë për 500 të parët që aplikojnë. Pastaj të tjerët do u nënshtrohen të gjitha rregullave sit ë gjithë. Kemi shfrytëzuar të njëjtin mekanizëm si të hoteleve me 5 yje”- shtoi kryeministri. Versus.al

Poll