Në festën e 34-vjetorit të Partisë Socialiste, e cila u organizua për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm për formacionin politik në pushtet, nuk kanë munguar momentet e tensionuara. Një episod që ka tërhequr vëmendjen ishte debati me tone të forta mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha. Pas përfundimit të fjalimit të tij, ku Rama nuk kurseu batutat e zakonshme drejtuar të pranishmëve, ai u largua nga podiumi për të përshëndetur anëtarët e partisë. Pikërisht gjatë këtij momenti, kamerat kanë kapur një shkëmbim të ashpër fjalësh mes tij dhe Dredhës.
Edhe pse përmbajtja e bisedës nuk është bërë publike, pamjet filmike sugjerojnë një qortim nga ana e Ramës, ndërsa Dredha shfaqet i tensionuar, me gjuhën e trupit që tregon një përpjekje për të zbutur situatën. Vendi dhe momenti i diskutimit – në mesin e një feste publike dhe nën vëmendjen e mediave – e bën skenën edhe më të pazakontë dhe ndoshta më domethënëse.
Ngjarja ka nxitur spekulime për pakënaqësi apo mosmarrëveshje brenda strukturave të partisë, sidomos në një moment kur PS-ja po synon të konsolidojë pozitat e saj për sfida më të mëdha, si përmbushja e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade.







