POLITIKË /

“Zhgënjyem qytetarët”, kritika nga të dyja palët për paktin e “Zgjedhores”: Listat e mbyllura mbrojnë “ajkën e partisë”

Të dyja palët politike kanë pasur rezerva për Kodin Zgjedhor të dakordësuar dje në komisionin e ligjeve.

Shkruar nga Versus
“Zhgënjyem qytetarët”, kritika nga të dyja palët
Mbledhja në komisionin e Ligjeve

Kodi Zgjedhor i dakordësuar dje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike hasi në kundërshti të ardhura nga deputetët e të dyja kaheve politike. Kundërshtitë u shprehën që në mbledhjen e komisionit të Ligjeve, ku deputeti Dashnor Sula tha se me formulën e zgjedhur për listën e deputetëve mbrohet “ajka e partisë”.

Po ashtu edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se një formilë e tillë nuk garantonte zgjedhje të lira.

“Nëse partitë politike janë tribale, vënë kandidatë tribalë, dhe nëse partitë demokratike janë demokratike, kandidati më i ri ka të njëjtat të drejta siç ka politikani i vjetër”, -tha ai.

Nga ana e socialistëve, Damian Gjiknuri tha se dakordësia mes PS dhe PD nuk nënkupton Reformë Zgjedhore sepse nuk ka pasur konsensus të gjerë për të gjitha pikat e paraqitura.

“Formula e gjetur nga ekspertët dhe partitë kryesore, se këtu nuk kanë qenë ndonjë herë dakord të gjithë, reflektojnë pjesën më të madhe të forcave politike dhe interesin publik,” theksoi ai.

Ndërsa deputeti socialist Pandeli Majko mbrojti projektligjin duke u kërkuar deputetëve ta votonin. Teksa risolli në vëmendje faktin që mbeti jashtë Kuvendit pas formulës që kishte qenë në fuqi gjatë zgjedhjeve të 2021-it.  

“Mua më çoi në shtëpi formula e mëparshme,edhe pse isha një ndër deputetët më të votuar, por nuk u qurravita”, u shpreh Majko.

Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj ishin të parët të cilët paktin e quajtur një “pazar” mes Ramës dhe Berishës për mbajtjen peng të opozitës. Në një reagim të bërë në facebook, Basha e cilësoi draftin e ri zgjedhor si marrëveshjen mes Ramës dhe Berishës për të kapur më pas SPAK-un.

Nga ana tjetër, nuk munguan edhe reagimet e bëra brenda vetë krahut të Berishës nga figura jashtë Kuvendit, së pari nga këshilltari bashkiak i Tiranës, mjeku Alimehmeti i cili tha në Euronews se ky draft nuk është ai që njerëzit prisnin. Ai pati kritika për opozitën duke kërkuar që të mos trumbetohen me të madhe çështje të tilla kur në fakt listat e kandidatëve për deputetë mbetën sërish të mbyllura duke u lënë qytetarëve pak mundësi për të ndikuar në emrat që hyjnë në Kuvend.

“Zhgënjyem qytetarët”, kritika nga të dyja palët
Mjeku Alimehmeti

“Ishte ngritur pritshmëria për lista të hapura për shkak të qëndrimeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ishte ngritur pritshmëria për lista të hapura, për shkak të dëshirës së njerëzve për demokraci të drejtpërdrejtë. Kjo reformë është poshtë pritshmërive të njerëzve. Do analizojmë në rezultatin zgjedhor, sepse tashmë ky është fakt, zgjedhjet do vijnë e do analizohen, por nuk ka asnjë diskutim që potenciali zgjedhor i qytetarit është reduktuar.

Kemi një reduktim në formën e zgjedhjeve në krahasim me vitin 2021 ku zgjidhej subjekti por zgjidhej edhe partia edhe kandidatët, kishte një hapësirë. Ishte shumë pak, por në ne nuk mund ti përgjigjemi diçkaje të gabuar e diçka të ngjashme. Unë do thoja se do ishte e drejtë që njerëzve të mos ua ngremë pritshmëritë nëse nuk do i realizojmë më pas. Kjo është arsyeja se përse shumica dërmuese e qytetarëve nuk votojnë. Duhet të kthehemi në seriozitet e me këmbë në tokë, të mos bëjmë premtime që nuk i mbajmë”- u shpreh Alimehmeti ndër të tjera.

Po ashtu, edhe i zgjedhuri si bashkëkryetar për komisionin e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi i cili kundërshtoi draftin edhe gjatë mbledhjes në komisionin e ligjeve, tha se do të kishte preferuar një sistem zgjedhor me lista të hapura të kandidatëve për deputetë.

“Unë do t’i përgjigjem çdo lloj vendimi të Partisë Demokratike. Unë vetë preferoj,përballë një liste të hapur ose një sistemi si ai i vitit 2005, që garohej në sistemin mazhoritar, zgjedh sistemin mazhoritar. Pra të garoj kundër kundërshtarit tim politik, jo kundër kolegut tim, se kush t’i marrë mandatin kujt”- u shpreh Bylykbashi në Euronews.

Ndërsa nga ana tjetër, ironikisht, reagoi dhe Sali Berisha, deputetët e të cilit në sallën e Kuvendit pritet ti japin kuorumin e nevojshëm miratimit të kodit, i cili u shpreh se beteja e tyre nuk është për një grusht mandatesh, por për rotacion politik.    

“Jeni thirrur ta shohim të vërtetën në sy. Jeni thirrur të mos i trembemi asaj, por të luftojmë me të gjithë forcën tonë për mbrojtjen, të sakrifikojmë për të vërtetën.Beteja jonë nuk është kurrë për një grusht mandatesh. Beteja jonë nuk është kurrë për farsë elektorale.Do na dënojë historia! Beteja jonë nuk është kurrë për të firmosur fitoren e grabitur të Edi Ramës.Beteja jonë është për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.Rikthimin e dinjitetit të shqiptarëve.Rotacionin e vërtetë politik.Fitoren e opozitës!Liria kërkon sakrifica, liria arrihet vetëm me sakrifica. Fitore, fitore, fitore!”, tha Berisha. 

“Zhgënjyem qytetarët”, kritika nga të dyja palët
Sali Berisha nga ballkoni i banesës

Kundër listave të mbyllura të kandidatëve për deputetë u shpreh edhe deputeti socialist Erion Braçe i cili u shpreh se ishte më shumë për një model mazhoritar me lista të hapura.

“Mazhoritar drejtpërdrejtë me një zonë elektorale do doja. Është çështje vullneti politik dhe duhet të bindesh. Por nëse më pyesni unë jam për mazhoritar të pastër. Unë kështu kam dalë deputet”, tha Braçe para nisjes së seancës ku pritet të hidhet për votim projektligji për Kodin Zgjedhor./ Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: