Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore protestoi sot pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në të njëjtën ditë kur edhe po zhvillohet samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Gjatë protestës së Partisë Demokratike u shënuan dhe incidente verbale ndërmjet gazetarëve dhe zyrtarëve të opozitës.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka u përplas me gazetarët, pasi këta të fundit e pyetën nëse do ta japë dorëheqjen Sali Berisha pas humbjes në zgjedhje, ashtu siç ia dikton statuti i partisë.
“Për të gjithë ju që merrni instruksione te Fuga, kam një përgjigje: Statuti është zbatuar dhe do të zbatohet nga Partia Demokratike me përpikërinë më të madhe në momentin që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, çdokush brenda nesh do të mbajë përgjegjësi”, tha Noka.
Në lidhje me këto incidente ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili i bëri “thirrje urgjente zyrtarëve të Partisë Demokratike të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj gazetarëve në protestën e opozitës”.
Edhe Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënoi sjelljen e deputetëve të Partisë Demokratike.
Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon sjelljen agresive dhe deklaratat e deputetëve të Partisë Demokratike nga Edi Paloka, Klevis Balliu ndaj gazetares Sara Demushi së Euronews dhe kameramanit, por edhe gazetarëve të tjerë, në protestën e sotme në Tiranë.
“Gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Tentativa për ti larguar është e papranueshme dhe cenon rëndë lirinë e medias. Është e rrezikshme për standardet e një vendi që një parti politike të shantazhojë dhe kërcënojë gazetarët. Një parti politike nuk mund të largojë mediet nga një aktivitet publik dhe nuk mund të përpiqet të ndalojë ato të ushtrojnë misionin e tyre”, thuhet në reagimin e Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Evropianë.