Unpublished /

Alarmante/ Rreth 6 mijë shqiptarë janë mashtruar nga platformat online TXEX dhe XEUX

Shkruar nga Versus

 

Alarmante/ Rreth 6 mijë shqiptarë janë mashtruar nga platformat

Disa javë më parë, një denoncim i mbërritur në redaksinë na vuri nën alert për një skemë e cila sipas denoncuesit anonim ishte duke zhvatur qytetarët shqiptarë. Bëhet fjalë për dy platformat TXEX dhe XEUX. Këto dy platforma paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Por për çfarë bëhet fjalë më konkretisht? Burime për ZËRI bëjnë me dije se Policia shqiptare është duke i hetuar këto platforma dhe kanalet e tyre në Telegram dhe rrjete të tjera.

Aktualisht, po të njëjtat burime bëjnë me dije se numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para është gati 6 mijë. Dy qytetet me numrin më të lartë të përdoruesve janë në Lushnje dhe Lezhë. Si funksionon kjo skemë moderne piramidale? 

Historia nis me transmetimin mes të njohurve që kanë shkarkuar më parë platformën dhe janë regjistruar në të. Personi i interesuar kërkon të investojë para në këto platforma që shfaqen si bursa investimi në kriptovalutë, por në fakt janë faqe pirate që nuk kanë asnjë lidhje me bursat reale. Këto faqe kanë një robot automatik të instaluar i cili më pas kryen investimin për secilin nga abonentët e lojës. 

Por nga mundet që një fermer në Lushnje të bëjë ‘exchange’ ose thyerjen e parave nga lekë në njësinë ‘Ustd’ që përdoret në TXEX dhe XEUX? Për këtë, burimet tona bëjnë me dije se në skemë janë një rrjet i gjerë i pikave të këmbimit valutor që bëjnë kthimin e parave nga dollarë fizikë në një portofol dixhital me ‘ustd’. Pasi portofoli virtual i fermerit mbushet me monedhat virtuale ai është i lirë të investojë.

Që këtu ka një problem, pasi në Republikën e Shqipërisë nuk ka asnjë pikë këmbimi valutore të licensuar për të kryer këtë aktivitet në fushën e kriptomonedhave.

“Tarifa për tu licensuar është shumë e lartë dhe askush nuk merr përsipër që ta paguajë”-tha burimi, duke shtuar se ky aktivitet është një vepër penale për të gjitha pikat e këmbimit valutor që e kryejnë si shërbim për qytetarët shqiptarë.

Ndërkohë që le të shpjegojmë më tej skemën. Qytetari që ka mbushur portofolin dixhital me “ustd” është i lirë që të nisë investimin në platformë. Për këtë, ai instruktohet në grupet e Telegram, siç mund të shihni në bisedat e mëposhtme që bashkëpunëtori i ZËRI, na ofroi për të kuptuar skemën.

“Çdo ditë, në të njëjtën orë, përdoruesve iu shkon një mesazh nga roboti i komanduar nga administratorët. Përmbajtja e mesazhit ka vetëm dy fjali ‘shit ose bli’ në orën përkatëse. Përdoruesi duhet të hyjë në të njëjtën orë në platform dhe të kryejë njërën nga komandat. Me të shtypur komandën, blerja ose shitja në bursën fiktive është kryer”-shtoi burimi.

Blerja dhe shitja apo investimi në këto platforma nis nga një minimum prej 800 dollarësh deri në 10 mijë dollarë. Këto janë shifrat që variojnë në TXEX dhe XEUX. Ajo që i bind qytetarët për t’ju bashkuar kësaj skeme piramidale është mënyra sesi ajo është krijuar. Njësoj si të gjitha firmat e tjera piramidale, përfituesit marrin para, përmes të cilave joshen të afërmit e tyre dhe krijohet siguria.

“Më shume me dhimbsen sepse po ja fusin njeri tjetrin. Çuni xhajes çunit të xhajes apo hallës e tezës (super skemë si Sudja). Pra ky që i tërheq vërtet fiton mbrapsh 1k dollar po ama është i nxitur të ftoj 5 të tjer të paktën me një investim 5k që ja dërgon Grupit. Ka sens ekonomik besoj.”-shtoi një tjetër burim për ZËRI-n, person që ka qenë brenda këtyre grupeve dhe e ka parë nga afër sesi ato funksionojnë.

Pra, fitimi i përkohshëm që iu shpërndahet anëtarëve të grupit në fakt është investimi i mëparshëm që kanë bërë kushërinjtë dhe të njohurit e tyre.

A ka arritur skema piramidale në kulmin e saj?

Duket se jo. Kjo është edhe arsyeja përse deri më tani, në Drejtorinë e Krimit Kibernetik, nuk ka shkuar asnjë denoncim zyrtar. Asnjë qytetar deri më tani nuk është paraqitur me pretendimin se është mashtruar nga një platformë.

Burimi ynë nga grupi që po e heton këtë skemë shpjegon: Kjo ndodh sepse skema ende nuk është në fundin e saj. Ajo është akoma duke u përhapur. 6 mijë përdoruesë nuk janë shumë për një skemë. Ideatorët e skemave të tilla zgjedhin ti përhapin, ti bëjnë të besueshme dhe në momentin kur nuk ka më investitorë, ato të plasin. Në Shqipërinë e vitit 1997, ndoshta e keni harruar por firmat piramidale asokohe zgjatën gati 3 vite deri në shpërthimin e katastrofës me humbjet financiare të qytetarëve.

Por ndërkohë diçka ka ndodhur me platformën. Ajo është pezulluar dhe nga komunikimet e fundit në grup mësohet se tashmë përdoruesve iu kërkohen 400 ustd (dollar) për të riaksesuar lojën. ZËRI mësoi se skema është aq masive në Lushnje, ku është hapur edhe një lokal që mban si logo emrin e lojës dhe afrohen fermerët për të bërë blerjet në skemën piramidale.

Kush fshihet pas skemës? Dyshohet se ideatori i kësaj skeme është një shtetas kinez, por deri më tani, për autoritetet shqiptare është tejet e vështirë identifikimi i tij, për shkak të përdorimit të kanaleve në telegram dhe mungesës së gjendshmërisë.

“Në shumë raste, ‘shefi’ i lojës nuk shfaqet. Ai përshëndet herë pas here viktimat duke i intriguar për më shumë. Fundi i kësaj historie dihet”-mbylli burimi shpjegimin e tij. /ZËRI

Poll