Unpublished /

Biznesmeni dëshmon në GJKKO: Çajup Selimi E përndiqte gruan time me mesazhe dhe telefonata!

Shkruar nga Versus

Biznesmeni dëshmon në GJKKO: Çajup Selimi E përndiqte

Biznesmeni lokal nga Tepelena, Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit - të dy të akuzuar si të dyshuar në përfshirjen e vrasjes së shtetasit Çajup Selimi, ka dhënë dëshmi sot para Gjykatës së Posaçme.

Ditën e ngjarjes, më 1 Qershor 2021, Ahmet Abedini ka treguar se ka qenë ën punë në Tepelenë dhe më pas është nisur për në Gjirokastër, pasi kishte shtruar nënën në spital. Ai sqaroi se kishte të njëjtin aktivitet tregtar me viktimën, shisnin materiale ndërtimi.

“Kam dy dyqane. Një e punoj vetë, një e punonte gruaja", tha ai.

Biznesmeni lokal nga Tepelena ka pranuar para togave të zeza se kishte pasur konflikte me Çajup Selimin, duke pretenduar se ky i fundit i bënte telefonata anonime bashkëshortes së tij, në çdo orë të ditës dhe të natës.

“Kemi pasur konflikte edhe me fjalë dhe nja dy herë është rrahur me djalin, Erisjanon. I binte telefonit pa pushim. I thamë mos i bjerë telefonit. Vajtëm edhe në gjykatë për këtë punë. Nusja kishte bërë padi”, dëshmoi ai.

Sipas Ahmet Abedinit, për rreth 5-6 muaj para ngjarjes, palët kishin arritur një marrëveshje në polici për të shmangur konfliktet. Megjithatë, ai ka treguar se telefonatat vazhdonin dhe ishte i bindur se ato bëheshin nga Çajup Selimi.

“Bashkëshortes i binte telefoni në çdo orë të ditës, ndonjëherë edhe jo anonime. I dërgonte mesazhe. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej", është shprehur ai.

Lidhur me vëllain e tij, Bujar Abedinin, ai tha se banon në fshat dhe merret me blegtori, duke shtuar se nuk kishte dijeni për telefonatat që i bëheshin bashkëshortes së tij nga viktima.

“Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por në spital e shoqëroja unë, se ai kishte bagëti, ishte çoban,” u shpreh ai.

Ahmet Abedini tregoi se lajmin për vrasjen e Çajup Selimit e kishte marrë rreth mesnatës.

“Nga ora 12:00 e natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë hajde. I pyeta 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. U thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital”, dëshmoi ai.

Sipas tij, djali Erisjano ndodhej në Tiranë dhe ishte kthyer pas 3-4 ditësh. Ai shtoi se atë natë policia e kishte kërkuar, por më pas kishte komunikuar me të përmes telefonit të nuses. “Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici”, përfundoi dëshminë Ahmet Abedini.

Poll