
TIRANE- Një luftë publike ka nisur prej muajsh mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe të deleguarit të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi.
Shkëndijat e para të përplasjes zyrtare mes tyre ishin për çështjen e mbetjeve të rrezikshme që dyshohet se ishin të Kurum.
Në këtë moment, opozita ishte duke heshtur. Nuk pati asnjë qendrim të fortë publik për këtë çështje, ndërsa të vetmet akuza publike ishin ndaj Portit të Durrësit.
Ndërkohë, mediat nisën të denoncojnë fort se në fakt ishte një tjetër shkak që e lidhte direkt PD-në me Kurum.
Bëhej fjalë pikërisht për shtetasin Lorenc Hastopalli, i cili është administrator i kompanisë “Energy Resources” ose ish “Kurum Energy”, me aktivitet prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike.
Sipas dokumenteve, Hastopalli ka qenë drejtues i shtabit elektoral të PD-së në Elbasan, kur drejtues politik në këtë qark në zgjedhjet e vitit 2021 ka qenë kreu aktual i grupit parlamentar Gazment Bardhi.
Duke iu referuar shkrimit në fjalë, i cili u publikua fillimisht nga Top Channel, kjo justifikonte heshtjen e deritanishme të opozitës për kompaninë Kurum, dhe kanalizimin e akuzave në drejtim të qeverisë apo ministrive të linjës.
Pas këtyre lajmeve nuk ka vonuar as reagimi i Gazment Bardhit, i cili pranon mes të tjerave që Hastopalli ka qenë pjesë e shtabit të PD-së, por më pas nuk ka bërë asnjë deklaratë tjetër për këtë çështje.
Ky ishte precedenti i parë i përballjes mes të dyve për të vijuar më pas në një tjetër segment.
Disa ditë më parë, emisioni Plug në Syri Tv transmetoi një investigim në lidhje me dy TEC-et loundruese të ankoruara në Vlorë, Tigri 1 dhe Tigri 3.
Sot, Gazment Bardhi njoftoi se ka kallëzuar penalisht Ballukun.
Bardhi u shpreh se Balluku ka përdorur të njëjtën skemë si ajo e inceneratorëve për të ‘djegur’ 80 milionë euro nga buxheti i shtetit, duke qenë se dy TEC-et lundruese nuk janë vendosur ende në punë.
Sipas tij, kjo tregon se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike.
Por a është ky qëllimi i vetëm?
Versus i ka hyrë më thellë qëndrimeve të Gazment Bardhit në raport me SPAK dhe vetë Ballukun.
Burime nga brenda PD, i thanë Versus se situata brenda kampit demokrat në Fier është e tensionuar.
Demokratët janë ndarë në dy kampe, kampi Baçi dhe kampi Bardhi.
Ndërkohë që Belinda Balluku ka marrë përsipër sfidën të rishkruajë historinë e paraardhësve, mes PD demokratët janë inaktivë dhe të papërfshirë.
A është kjo shenja e parë se për të mbushur disfatën në Fier, Gazment Bardhi përdor një kallëzim penal të bërë pikërisht në nisje të fushatës elektorale për të fituar terren në qarkun që po bëhet gjithnjë e më mavi?
Do të thonim që është një rastësi nëse do të harronim se vetë Bardhi nuk ka qenë i qartë me mbështetjen e tij përballë SPAK.
Prej javësh, dy liderët Edi Rama dhe Sali Berisha po përballen në distancë për mënyrën sesi duhet dhe do të funksionojë SPAK pas 11 majit, por Bardhi jo.
Numri 2 më i rëndësishëm pas Sali Berishës në PD, heziton të japë një përgjigje të prerë nëse SPAK është jashtë “shinave” kushtetuese siç thotë Edi Rama, apo “duhet shkrirë” siç thotë Berisha.
Në këtë përballje, Bardhi duket se ka zgjedhur të qëndrojë neutral. Aq neutral, saqë ende nuk ka bërë një koment për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Është e habitshme heshtja në kohën kur e gjithë PD e faturon si fitore të vetën dhe të 44 protestave para bashkisë, arrestimin e Veliajt.
Përse hesht vetëm ai? Llogaritë elektorale të opozitës me sa duket nuk janë në letrën e kalemin e Gazment Bardhit.
Me sa duket fati i tij është ngatërruar mes stërkëmbëshave të anëtarëve fierakë të vetë partisë së tij.
Llogari që nuk po dalin ashtu siç ‘duhen’ dhe ka mbetur vetëm loja me kallëzime në SPAK./ Versus.al








