Sot, 74 familje nga Durrësi dolën në protestë para godinës së Kryeministrisë, kundër vendimit të autoriteteve për shembjen e banesave të tyre në zonën pranë amfiteatrit të qytetit, në kuadër të projektit TID.
Banorët thanë se u njoftuan papritur për prishjen e shtëpive të tyre për t’i hapur vendin një lulishteje publike, pa u konsultuar dhe pa marrë dakordësinë e tyre. Prej disa ditësh, familjet e prekura kanë nisur një peticion për mbështetje nga qytetarët durrsakë kundër shpronësimeve të padrejta.
Sipas protestuesve, procesi i shpronësimit po bëhet me çmime reference, që nuk reflektojnë vlerën reale të pronave dhe nuk u japin mundësi të blejnë një banesë të re. Ata shtuan se kanë vetëm tre muaj afat për të përgatitur dokumentacionin e shpronësimit, ndërsa ndihen të pambrojtur dhe të injoruar nga institucionet.
“Po na heqin nga shtëpitë tona për një lulishte, pa asnjë alternativë strehimi,” u shprehën banorët, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për rishikimin e vendimit dhe respektimin e të drejtës së tyre të pronës.
Banorët paralajmëruan se do të vazhdojnë protestat deri në anulimin e projektit në formën aktuale./Versus.al
