Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar në mbështetje të prokurorëve të SPAK lidhur me sulmet e bëra së fundmi drejt tyre, në veçanti ndaj prokurorit Ols Dado që po ndjek çështjen e dosjes së Erion Veliajt.
Në reagimin e KLP thuhet se deklaratat e bëra nga media të ndryshme dhe persona të përfshirë në hetim apo të akuzuar, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare.
Organi i cilëson “denigruese” etiketimet që kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë ndaj prokurorit Dado gjatë reagimeve të tij në rrjetet sociale duke theksuar se çdo akuzë apo ankesë ndaj Dados do trajtohet sipas ligjit.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës.
KLP bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. KLP rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike të raportimit nga mediat, duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik, për të shmangur çdo formë dezinformimi që mund të ndikojë në integritetin e proceseve gjyqësore. Në respekt të një sistemi të pavarur gjyqësor, bëjmë thirrje për të treguar durim dhe maturi. Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, edhe pse i arrestuar që prej datës 9 shkurt, pothuajse çdo ditë ka publikuar në rrjetin e tij social statuse ku shprehet me epitete fyese ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado madje edhe ndaj gjyqtarit Erion Bani.
Së fundmi ai publikoi edhe disa zbardhje të seancës në GJKKO ku u la në fuqi masa e arrestit me burg ndaj tij duke pretenduar se prokurori e kishte ofenduar me fjalën "ndyrësirë". Por pas reagimit të GJKKO dhe publikimit të audios, u vërtetua se një pretendim i tillë nuk ishte i vërtetë. Versus.al







