Një prokurore në Kosovë kapet “gafil” duke luajtur në telefon gjatë shqyrtimit gjyqësor të një dosje për trafikimin e 180 kg heroinë. Siç njoftojnë mediat vendase bëhet fjalë për prokuroren Merita Bina Rugova, e cila po luante në telefon derisa po zhvillohej seanca ndaj Bashkim Kolshit që akuzohet për transportim të 180 kilogramëve kokainë dhe pastrim parash.
Kur është kontaktuar për këtë çështje nga “Betimi për Drejtësi”, Rugova ka refuzuar edhe ta dëgjojë pyetjen, duke thënë se është zëdhënësja e prokurorisë, e cila mund të kontaktohet për çfarëdo pyetje.
Kolshi akuzohet se në bashkëpunim me Gunta Zunda, Sokol Krasniqi, Ervin Pelinku, Milenko Knezevic dhe persona të tjerë të dënuar apo të akuzuar në Danimarkë vazhdimisht ka transportuar kokainë dhe atë çdo herë në sasi prej nga 18 kg nga shtetet tjera të Evropës për në Kopenhagë, Danimarkë duke e fshehur atë në hapësirën e fshehtë të automjetit, nën pjesën e poshtme mes bagazhit dhe ulëses së pasme, ku ishte përshtatur një vend për të futur 24 blloqe drogë me dimensione 22.2 x 12.5 x 3.9 cm.
Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019.







