AKTUALITET /

I fiksuar pas motorëve, 16-vjeçari shqiptar humb jetën tragjikisht në aksident

Tragjedi në Itali: Humb jetën 16-vjeçari shqiptar Manuel Leti pas një aksidenti me motor

Shkruar nga Versus

I fiksuar pas motorëve, 16-vjeçari shqiptar humb jetën

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar dhe italian në zonën e Darfo-s, ku Manuel Leti, një 16-vjeçar me origjinë shqiptare, humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, ngjarja ndodhi në rrugën “4 Nëntori”, në momentin kur adoleshenti po udhëtonte me motorin e tij “KTM Duke 125”. Në kryqëzimin me rrugën “Caduti della Resistenza”, ai u përplas me pjesën e përparme të një makine tip Audi, e drejtuar nga një 44-vjeçar.

Edhe pse përplasja me makinën konsiderohet e lehtë, fatkeqësisht, motori doli nga kontrolli dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi, duke i shkaktuar të miturit dëmtime të rënda. Manuel ra me forcë në asfalt, dhe përdorimi i kaskës nuk ishte i mjaftueshëm për ta mbrojtur nga goditjet fatale.

Një mik i tij, që po udhëtonte pas me një tjetër motor, ishte dëshmitar i ngjarjes tragjike dhe i pari që dha alarmin.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës dhe mbërritjes së helikopterit të specializuar të Areu, përpjekjet për ta reanimuar rezultuan të pasuksesshme. Dëmtimet e rënda në kraharor dhe bark e bënë të pamundur mbijetesën e 16-vjeçarit.

Manuel Leti ishte lindur në Itali nga prindër shqiptarë. Ai kishte jetuar në Pian Camuno, ndërsa prej disa muajsh ishte zhvendosur me familjen në Artogne. Nxënës në Qendrën e Formimit Profesional “Zanardelli” në Darfo, ai studionte në drejtimin e informatikës.

Manuel la pas një motër më të madhe dhe një vëlla të vogël. 

Poll