Prej ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu të cilat kanë shkaktuar problematika në disa zona të ndryshme të territorit, kryesisht në jug me përmbytje.
Në Fier, lumi Seman ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytjen e disa stallave dhe pemishteve në Mbrostar. Po ashtu edhe në zonën e Ngurrëz Imësht në Lushnjë, 200 hektarë tokë bujqësore janë në ujë si pasojë e vërshimit të lumit.
Ndërkaq, në qytetin e Beratit gjendja paraqitet e normalizuar, por në disa fshatra ka prani të ujit në tokat bujqësore.
Në Vlorë, niveli i lumit Vjosa luhatet nga 7.8–8.3 metra. Për dy ditë me radhë, niveli i Vjosës ka qëndruar mes kuotave 7.8 dhe 8.3 metra, duke shënuar ulje-ngritje të vazhdueshme, por pa rënë poshtë zonës së rrezikut.
Si pasojë e prurjeve të shumta të ujërave të lumit Devoll, është hapur porta e parë e emergjencës në kaskadën e Hidrocentralit të Moglicës.
Dje u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për të evakuuar disa banorë dhe bagëti në zona të ndryshme të jugut të vendit për shkak të përmbytjes së dhjetëra banesave. Versus.al


