AKTUALITET /

Mashtroi klientët dhe u mori 200 mijë euro për të blerë apartament, arrestohet avokati në Vlorë

Prokuroria e Vlorës akuzon avokatin se ka shpërdoruar besimin e 2 personave duke përvetësuar plot 20 milionë lekëve të reja.

Shkruar nga Versus
Mashtroi klientët dhe u mori 200 mijë euro për të blerë
Delo Meçani, avokati në "arrest shtëpie"

Vlorë- Prokuroria ka lëshuar urdhër arresti me burg për avokatin Delo Meçani i cili dyshohet se ka kryer 3 vepra penale, duke përvetësuar plot 20 milionë lekë të reja të cilat klientët e tij i kishin fituar si dëmshpërblim pasi kishin qenë viktima të disa rasteve. Gjykata vendosi caktimin e masës së arrestit në shtëpi për Meçanin. 

Hetimet kanë nisur në nëntor të vitit të kaluar pas kallëzimit të bërë nga dy persona, konkretisht Sefedin Selmanaj dhe B.E. Selmanaj e bëri publik rastin e tij edhe në një emision televiziv duke akuzuar Meçanin se i kishte marrë shumën prej 14 milionë lekësh të vjetra të cilën e kishte përfituar për shkak se ishte pushuar nga puna padrejtësisht. Ndërsa 19.2 milionë lekë të reja dyshohet se i ka përfituar nga klienti tjetër B.E duke shpërdoruar besimin e këtij të fundit.

Sipas prokurorisë, Meçani kishte nisur procedurat për blerjen e një apartamenti me paratë që kishte përfituar falë mashtrimit dhe tashmë kishte kryer pagesën e këstit të parë prej 2 milionë lekësh të reja në llogarinë e shtetasit E.A me përshkrimin “këst për blerje apartamenti”.

Ndaj avokatit rëndojnë akuzat për tre vepra penale: “Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale parashikuar nga neni 143, pg.3, 186 dhe 287 i Kodit Penal. Versus.al

Poll