Mbrëmjen e djeshme Safet Bajri ka ndërhyrë “live” gjatë emisionit “Top Story” teksa diskutohej për masakrën e Dobraçit ku u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati të cilët aksidentalisht përplasën për vdekje çiftin Bashkim dhe Flutura Basha.
I pyetur për kontrollet e RENEA-s në banesën e tij, Safet Bajri u shpreh se sa herë që efektivët kanë shkuar në banesën e tij, ai u ka vënë në dispozicion kamerat e sigurisë. Ndërsa tha se me masakrën e Dobraçit nuk ka asnjë lidhje dhe se me familjen e Licëve nuk ka pasur asnjë lloj konflikti.
“Kur vjen policia, i jap USB e kamerave, nuk kam lidhje me asgjë, dhe sulmohet Safeti. Për çfarë? Ka ardh RENEA te banesa ime… në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha ai.
Ndërsa profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço e pyeti nëse kishte ndërhyrë në zgjedhje për të presionuar qytetarët duke i detyruar të votojnë për parti të caktuara, Safet Bajri e mohoi diçka të tillë.
“Nuk jam përzier kurrë me zgjedhjet dhe nuk dua të përzihem. Le të vijë e të shkojë kush të dojë. Sa i përket makinave, unë rrallë kam hyrë te ta. Benzi dhe Audi më përkasin mua dhe njerëzve të mi. Unë rrallë lëviz me ta”- deklaroi ai. Versus.al







