AKTUALITET /

“Nuk bën vaki në BE”, Rama për Veliajn e Ballukun: Raste unikale në Evropë! T’i jepet fund kulturës së gjyqeve popullore

Pavarësisht se në Evropë ka patur shumë precedentë të dorëheqjes nga postet në raste të tilla, Rama tha se nuk ka ndodhur kurrë që një zv.kryeministre të pezullohet nga detyra me urdhër të gjykatës.

Shkruar nga Versus

“Nuk bën vaki në BE”, Rama për Veliajn e Ballukun:

Kryeministri Edi Rama me nota kritike ndaj SPAK e GJKKO nënvizoi gjatë konferencës me komisioneren Marta Kos se nuk ndodh në asnjë vend të Bashkimit Europian që të pezullohet nga detyra një zv.kryeministre dhe të merret nga zyra kryebashkiaku për t’u dërguar në burg pa qenë ende i dënuar.

Më tej shtoi se duhet të marrë fund kultura e gjyqeve popullore dhe e sekreteve hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët e posaçëm të SPAK.

“Në BE nuk bën vaki që njerëzit të pezullohen nga funksionet. Është unike në historinë e Europës kjo. Nuk bën vaki në BE që kryetarët e bashkisë të merren nga zyra dhe të çohen në burg pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë. Nuk bën vaki në BE që siç e thotë jo qeveria e Shqipërisë, por komisioni i torturës i Strasburgut, një vend të ketë më shumë të paraburgosur sesa njerëz të dënuar. Unë besoj se të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi tonin, roli ynë është që të jemi garantë të kësaj pavarësie të drejtësisë që Shqipëria po e njeh për herë të parë në historinë e vetë. ta mbrojmë këtë pavarësi të gjyqësorit edhe kur rëndon mbi ne në formën e një padrejtësie mbi ne që nuk ka të ngjashme në Europë dhe të respektojmë kufirin tonë pa hyrë në territorin e pushtetit të pavarur. Kultura e gjyqeve popullore dhe e organizimeve nëpër salla që dikur ishin salla teatrosh e vatrash kulture, sot janë sallone mediatike, për të dhënë dënime, bazuar në sekrete hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët është kulturë që duhet ta luftojmë të gjithë se nuk i bën mirë kësaj shoqërie”- tha Rama ndërsa theksoi se PS do respektojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Versus.al

Poll