
Kryeministri Edi Rama e cilësoi pezullimin e Belinda Ballukut në postin e zv.kryeministres si “akt brutal i ndërhyrjes në kompetencat e qeverisë”. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend të lindjes ku është ndjekur e njëjta reformë drejtësie dhe tha se janë raste unikale në Evropë kur pushteti gjyqësor ndërhyn në kompetencat e ekzekutivit.
Pavarësisht se nënvizoi respektimin e pushtetit të drejtësisë, Rama tha SPAK e GJKKO kanë shfaqur edhe pika të dobëta dhe reflekse antidemokratike.
"Nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim ndër disa arsye themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pa diskutim që sot edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë. Në këtë epokë të re Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse. Për rastin konkret dua të them tre gjëra. Së pari pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as manovër politike dhe as instrument i përkohshëm, por shkëputje historike nga partia. E realizuar vetëm në vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive.
Por ka shfaqur edhe dobësitë e një pushteti krejt të ri dhe reflekse të vjetra antidemokratike. Dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin dhe jo thjesht për ne këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua personalisht mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë sepse siç thotë edhe një fjalë e mençur që mua më pëlqen shumë: kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pisët"- u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se vendimi i pezullimit do të respektohet pa kushte, por në ndërkohë do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar rrëzimin e masave të GJKKO.
"Pezullimi nga detyra e një ministri në këtë rast edhe zv.kryeministrit është një tjetër shfaqje e atyre dobësive që përmenda më lart e një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve antidemokratike. Ky është rast unikal në historinë e Europës dhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në vendet e tjera ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Por nëse një prokuror special dhe një gjykatës speciale kanë vendosur të pezullojnë një ministre duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjia si gjithmonë. Për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësiën e gjyqësorit si parakusht edhe në këtë rast ekstrem. E thënë drejtëpërdrejtë ne nuk mund ti përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as nuk do angazhohemi në betejë politike me drejtësinë, por do vazhdojmë me durimin tonë strategjik. Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe do kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cënuar të qeverisë, vetëm tek Gjykata Kushtetuese. Këta jemi ne, ky jam unë dhe kështu do jetë deri në fund"- shtoi kryeministri. Versus.al

