Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh sot për të diskutuar lidhur me projektbuxhetin e 2026-ës për kryeqytetin. Ditën e djeshme, SPAK bëri me dije se kishte refuzuar kërkesën e bërë nga këshilli bashkiak për praninë e Veliajt në mbledhje.
Ndërsa sot mbledhja nisi me debate pasi këshilltari i PD, Dorian Teliti kërkoi më shumë informacion rreth menaxhimit të bashkisë, ndërsa ironizoi edhe anëtarët e këshillit të cilët shkarkuan Veliajn pa e pranuar që të ishte në sallë.
“E nxorët nga dera kryetarin e bashkisë dhe e futët nga dritarja. Tani ky këshill duhet të fusë urgjentisht në rend të ditës..Rendi i ditës duhet të ishte si po ecin punët në bashkinë e Tiranës. Kemi deklaratë të kryetares në detyrë që tha se nuk jam kryetare e zgjedhur dhe mos më kërkoni llogari.
Kemi një vendim të gjykatës Kushtetuese dhe akte të ndërmarra nga kryebashkiaku që nuk është fizikisht në zyrë. A mund të diskutojmë se kush është ekzekutivi i kësaj bashkie. Po kërkojmë transparencë, atë që nuk është bërë kurrë në këtë institucion. Nuk e respektoni orarin e mbledhjes dhe fusni në rend dite akte që janë hedhur poshtë në komisione”- tha Teliti.
Nga ana tjetër, kryetarja e komanduar, Anuela Ristani kërkoi të zbuste atë që e quajti “dramë” nga ana e Telitit duke falenderuar punonjësit dhe ekipet e pastrimit përgjatë ditëve me reshje të dendura shiu në Tiranë. Sipas saj punët po shkojnë shumë mirë në kryeqytet.
“Para se të kaloj në rendin e ditës për ta ulur tonin e dramaticitetit do doja që të falenderoja të gjithë punonjësit që kanë qenë në gatishmëri ditët e fundit. Tirana është përballur me reshje jashtë normales. Me shumë përulje dua t’i falenderoj të gjithë punëtorët që kanë bërë hapjen e rrugëve. Mendoj se kjo është një përgjigjie ndaj diskutimit plot patos që filluam këtu. Gjërat po menaxhohen dhe po ecin bajagi mirë”- tha Ristani. Versus.al
