
Sot në Gjykatën e Posaçme zhvillohet seanca e katërt në themel për kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj pasi 3 seancat e mëparshme janë shtyrë për shkak të mungesave të të pandehurve apo avokatëve.
Këtë herë, njëri prej të pandehurve, ish-polici i paraburgimit të Durrësit, Fatjon Baci është shoqëruar nga policia e burgjeve dhe është sjellë në GJKKO për procesin ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë. Baci ndodhet nën masën e arrestit me burg pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.
Edhe në këtë seancë Veliaj nuk ka ardhur personalisht duke preferuar që të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca. Ndërsa SPAK përfaqësohet vetëm nga prokurori Olsi Dado. Veliaj në deklaratën e tij thotë se do të jetë i pranishëm në seancë vetëm pasi të ketë lexuar të gjitha aktet hetimore.
Ndërkohë në seancë ka patur përplasje mes avokatit të Ajola Xoxës, Maks Haxhia dhe prokurorit Ols Dado përsa i takon caktimit kryesisht të avokates Pranvera Doçi për të pandehurin Fatjon Baci. Në këtë moment ndërhyri Dado që i kujtoi Haxhisë se është aty në cilësinë e mbrojtjes së Xoxës dhe jo si kryetar i Dhomës së Avokatisë.
Pjesë nga seanca:
Maks Haxhia: Jam legjitimuar të ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht janë njohur me dosjen hetimore apo jo? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doçi e caktuar kryesisht për Fatjon Barcin. Duam të bëjmë proces jo sa për të pasur një avokat. Ka një këshill disiplinor atje dhe e shohim…. Të lutem prokuror të mbaroj unë. Sepse po bëhet qesharak procesi.
Ols Dado i drejtohet Maks Haxhisë: Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Këtu përfaqësoni tagra të të tjera
Haxhia: Iu drejtova gjykatës.
Ols Dado: Mos e lejoni e nderuar gjykatë të flasë
Haxhia: Ju keni pushtetin, ne kemi fjalën do të flas, ti mos fol
Dado: Pse ti urdhëron të flasë apo të mos flas unë
Engjellushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.
Plarent Ndreca: Jeni ju të që vendosni. Të gjithë çka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliajt. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vijë në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe mu tha se do vijnë në mënyrë elektronike unë kam qënë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 146. Dua të shqyrtoj se cfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon qe ky proces të bie ndesh me konventën europiane.
Romina Zano, avokate: Kemi kërkuar ndarje të çeshtjes dhe gjykim të shkurtuar për klientin tim Elman Abule. Arsyeja pse kërkojmë ndarjen lidhet me shkaqet procedurale. Ndodhemi në fazë shqyrtimi gjyqësor dhe vlerësojmë se mbajtja e procedimit të përbashkët do cënonte qartësinë e procesit për klientin tim. Vepra penale që akuzohet Elman Abule lidhet me gjykatë të juridiksioni tjetër dhe jo Gjykatës së Posacme. Pra ndryshe kompetenca lëndore duhet të shkojë në një gjykatë tjetër. Faktet për Elman Abulen janë të pavarura me të pandehurit e tjerë.
Ndërkohë sot në gjykatën Administrative të Tiranës do të shqyrtohet kërkesa e Erion Veliajt për pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror në 2008-ën. Kryebashkiaku pritet të jetë i pranishëm në seancë. Versus.al


