Prokuroria e Tiranës ka relatuar konkluzionet përfundimtare për skandalin “Tire” gjatë kohës së COVID 19.
Organi i akuzës ka kërkuar dënimin e Tire Alldervishit me 7 vite burgim për veprën penale, të "Mashtrimit" të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjelle pasoja të rënda.
Nga 6 vite burg prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar për infermjeret Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj. Ato akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjeter Rukije Hoxhaj.
Skandali i Altire Alldërvishit u zbulua në emisionin investigativ ‘Stop’ ndërsa detaje rrëqethëse u bënë publike në një kohë shumë të vështirë që po kalonte dhe Shqipëria në valën më të egër të COVID 19. Mesazhet e shkëmbyera mes një pacienteje e cila ndërroi jetë më pas në spital dhe vajzës së saj, por sidomos mes saj dhe sanitares Tire që hiqej si infermiere janë çnjerëzore duke nxjerrë në pah abuzimin e pamëshirshëm ndaj pacientëve të sëmurë me këtë virus nga disa prej bluzave të bardha.
Viktima që ndërroi jetë në spitalin Covid 2 në fund të Dhjetorit i është përgjëruar Tires për bukë dhe ujë, edhe pse kjo e fundit merrte para nga vajza e pacientes, që Tire Alldërvishi t’i shërbente të ëmës. Në datën 6 Dhjetor në mëngjes, pacientja e ndjerë i drejtohej Tires: “Të hënksha m****, hajde 1 sekondë”.
Por 45 minuta më vonë, Tirja nuk ishte dukur dhe pacientja e kërkonte sërish me dëshpërim.
“O Tire, hajde të hënksha m****. Ku je? Hajde”.
Kjo ishte thirrja e qytetares që vuante nga Covidi dhe nga anti-humanizmi.
“A e takove Anin”, vijonte ajo më tej duke shpresuar që paratë e së bijës që mbushnin xhepat e Tires do të zbusnin vuajtjes e saj.
Në 12 Dhjetor, në orën 09:30 të mëngjesit, pacientja që vuante edhe nga diabeti, ende nuk kishte ngrënë mëngjes dhe i lutej Tires sikur t’i kishte shpirtin në dorë.
“O Tire, po më dridhet trupi për bukë. Po më bie diabeti, hajde shpejtë”.
Pas gjysmë ore, pacientja sërish e pangrënë, i përgjërohet sanitares Tire Alldërvishi.
“Të thashë më jep çik bukë, më ike”.
Më 13 Dhjetor në drekë, sërish lutje për vaktin e radhës.
“Kur do të ha bukë. S’ma bërë insulinën, të lutem hajde pak. O Tire hajde pak të lutem”.
Pesë ditë më pas, më 15 Dhjetor në mëngjes, e ndjera i drejtohej sërish asaj që e paguante për t’i dhënë një copë bukë.
“Pse më tradhtove? Jam keq. Më kthe përgjigje”.
Por Tirja, që thoshte se pacienten e kishte teze, mjaftohej t’i thoshte: “Mirëmëngjes teze. Jam në shtëpi, jo në punë”.
Në këtë pikë, komunikimi bëhet gjithmonë e më i dëshpëruar pasi edhe pacientja po jetonte fundin e saj.
“Të du shumë, hajde pak. Hajde më jep pak ujë. A je në punë? Hajde më vrit me duart tuaja dhe ik”.
Gjithë ky komunikim nxjerr në pah jo vetëm që Tirja merrte para për shërbime që pacientët duhet t’i kishin në spital, por që më pas keqtrajtoheshin në mënyrë mizore.
Sot, pas disa vitesh përballjeje me drejtësinë, jo vetëm Tire Alldërvishi, por dhe disa infermiere dhe sanitare rrezikojnë më së paku nga 6 vite burg. /Versus.al







