
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për heqjen e gjobës 120 milionë euro të Bankers Petroleum.
Kapitali ka mësuar se SPAK ka sekuestruar dokumentacionin në Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave mbi praktikën e heqjes së gjobës më të madhe të vendosur ndonjëherë nga autoritetet fiskale të vendit. Kapitali lexoi një përgjigje zyrtare të Ministrisë së Financave ku konfirmon sekuestrimin e dokumentacionit nga SPAK.
Gjoba 120 milionë euro mbi Bankers Petroleum u vendos në vitin 2019 nga dogana e Fierit pas një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Sipas këtij hetimi të kryer nga doganat, Bankers Petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrim akcize përmes solarit të prodhuar nga ARMO në rafinerinë e Ballshit.
Mbi këtë detyrim është zbatuar edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro sic parashikonte ligji i procedurave duke e çuar shumën totale që duhet të paguante kompania në 120 milionë euro.
Por menjëherë pas plotësimit të procesverbalit të gjobës nga dega e doganës së Fierit, Bankers Petroleum u ankua në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë duke e cilësuar gjobën si të paligjshme, pasi sipas saj ajo nuk ka patur detyrim për të paguar akcizën e holluesit. Belinda Ballukiu iu drejtua me shkresë ministrisë së Financave duke i kërkuar që të konsultohej me avokaturën e Shtetit.
Rrjedhimisht, ministrja e atëhershme e Financave, Anila Denaj udhëzoi doganën që të pezullonte përkohësisht vendosjen e gjobës, me qëllim që kjo çështje të konsultohej me Avokaturën e Shtetit për të mos e ekspozuar Shqipërinë përballë rrezikut të një arbitrazhi.
Pas udhëzimit të ministrisë së Financave, Dogana e Fierit e pezulloi vendosjen e gjobës. Kjo ishte zanafilla e një kalvari neglizhencë dhe paligjshmërie.
Ligji shqiptar përcakton se çdo vendim përfundimtar mbi gjobat administrative duhet të përpunohet brenda 6 muajsh nga momenti i vendosjes. Por në këtë rast, gjoba u mbajt pezull për gati 7 vite, pavarësisht korrenspodencës mes institucioneve. Vetëm një muaj më parë, Dogana e Fierit vendosi riaktivizimin e gjobës 120 milionë euroshe, pasi e kishte mbajtur të pezulluar për vite të tëra.
Gazheli e mbajti gjobën pezull
Portali Skyweb.al raportoi pak ditë më parë mbi ekzistencën e të paktën dy shkresave, sipas të cilave drejtuesit e Doganës së Fierit i kanë rikujtuar kreut të Doganave, Gent Gazheli gjobën ndaj Bankers, duke e njoftuar për nevojën që të procesohej, pasi po mbahej pezull prej tij.
Megjithatë, pavarësisht njoftimeve me email dhe me shkresë zyrtare, vendimi nuk u trajtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Skyweb.al ka mësuar se gjatë vitit 2021, Gazheli është njoftuar disa herë nga ish-kreu i Doganës së Fierit, Olti Kuke për afatin ligjor të gjobës, por sërish nuk ka marrë asnjë vendim, duke e mbajtur çështjen të pezulluar.
Vetëm pak ditë më parë, pas shpërthimit të skandalit dhe referimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit drejt SPAK-ut, Drejtoria e Doganave ka rikthyer në vëmendje çështjen, duke tentuar të procesojë vonë një vendim që duhej marrë pesë vite më parë./Marrë nga Kapitali.al
