AKTUALITET /

Gëzim Çela dhe 12 të tjerë shpallen fajtorë nga GJKKO – ja sa vite burg u është dhënë secilit

Shumica prej të pandehurve janë dënuar me nga 12 vite burg secili, që iu zbret me 1/3 në vendimin përfundimtar për shkak të gjykimit të shkurtuar në një total prej 146 vitesh.

Shkruar nga Versus
Gëzim Çela dhe 12 të tjerë shpallen fajtorë nga GJKKO
Gëzim Çela

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 161 vjet e 6 muaj burg 13 të pandehurit e dosjes “Flakë në Det”, që akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.

Shumica prej të pandehurve janë dënuar me nga 12 vite burg secili, që iu zbret me 1/3 në vendimin përfundimtar për shkak të gjykimit të shkurtuar në një total prej 146 vitesh.

SPAK kishte kërkuar në pretencën e saj 168 vite heqje lirie për 13 anëtarët e grupit që drejtohej nga Gëzim Çela dhe Arlind Ismailukaj që u dënuan përkatësisht me 15 dhe 14 vite burg, ndërsa u evidentua edhe bashkëpunimi segmenteve drejtuese të Policisë së Shtetit, që çoi në pranga Dritan Metajn ish-shefin e Komisariatit të Kurbinit.

Grupi kriminal u godit gjatë një operacioni të SPAK në tentativë për të trafikuar një sasi lënde narkotike që po nisej nga Patoku në drejtim të vendeve të tjera të BE-së dhe do të bëhej edhe shkëmbimi në det me velierën me emrin Vilua.

Dy shtetasit e huaj që u dënuan këtë të premte, kur pikasën policinë, i vendosën flakën dhe tentuan të largohen.

Sipas hetimeve të SPAK, dyshohej që veliera të kishte një sasi shumë të madhe droge.

SPAK dhe Policia kishin informacione për një shkëmbim të mundshëm të drogës në det të hapur, në zonën e Patokut (Kurbin), përmes gomoneve, të cilat u përdorën për të shkëmbyer hashashin me kokainë në det. Droga u soll nga dy ukrainasit.

Poll