
Dhjetëra kriminelë shqiptarë vijojnë të jenë në arrati në Britani, mes tyre trafikantë droge, një rrëmbyes dhe një hajdut, duke thelluar shqetësimet për menaxhimin e burgjeve dhe zbatimin e urdhrave të arrestit.
Rasti vjen pas një serie lirimesh aksidentale që kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e Shërbimit të Burgjeve dhe policisë britanike.
Shqiptarët mbeten grupi më i madh i të huajve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa bandat me origjinë nga Ballkani janë të njohura për trafikun e njerëzve dhe ndihmën që u ofrojnë të arratisurve për t’u larguar fshehurazi nga vendi,shkruan media britanike Dailymail.
Në një investigim të mëparshëm, një gazetar i fshehtë i Daily Mail, duke u shtirur si i afërm i një krimineli në kërkim, u sigurua se një arratisje drejt kontinentit mund të organizohej brenda ditës për 3,000 paund.

Ndër personat më të kërkuar është Zenel Marku, 35 vjeç, i cili u largua në vitin 2021 nga një burg i sigurisë së ulët në Suffolk, ku po vuante një dënim prej nëntë vitesh për trafik droge. Shumë të tjerë janë shpallur në kërkim për shkelje të kushteve të lirimit me kusht, përfshirë operatorë të fermave të kanabisit, shpërndarës drogash dhe persona të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Rasti më tronditës lidhet me Klej Docin, pjesë e një bande që rrëmbeu një burrë për një borxh, duke e torturuar për pesë ditë së bashku me një kalimtar të pafajshëm që rastësisht u gjend aty. Viktimat u rrahën, u mbajtën pa ushqim e ujë dhe u detyruan të flinin në dysheme, derisa policia e armatosur ndërhyri. Doci u dënua me pesë vite burg në vitin 2023, por pas lirimit me kusht ai theu rregullat dhe u zhduk.
Ndërkohë, policia britanike po përballet edhe me gabimet e brendshme: dhjetëra të dënuar janë liruar aksidentalisht nga burgjet vetëm gjatë këtij viti. Sipas ministrit të Drejtësisë David Lammy, 91 të burgosur janë liruar gabimisht brenda shtatë muajve, ndërsa 262 raste të tilla janë regjistruar brenda një viti. Tre prej tyre vijojnë të jenë në arrati.
Qeveria britanike deklaron se çdo person që shmang drejtësinë do të përballet me masa të rënda dhe se institucionet “nuk lënë gur pa lëvizur” për t’i rikthyer në qeli. Megjithatë, situata aktuale ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në burgje dhe funksionimin e sistemit penal në tërësi.Përshtati në shqip Versus.al
