Nga mëngjesi në mbrëmje, qytetarët e Tiranës e përjetojnë çdo ditë një formë torturë moderne: udhëtimin me urban.
Ajo që teorikisht duhet të jetë një shërbim publik bazë, funksional dhe dinjitoz, është kthyer në një përvojë mizerabël, veçanërisht në ditët e nxehta të verës, kur temperaturat ngjiten mbi 35°C dhe ajri bëhet i papërthithshëm.
Autobusët janë të tejmbushur që në stacionin e parë. Njerëzit qëndrojnë ngjitur trup më trup, pa hapësirë për të marrë frymë, ndërsa djersa, avulli dhe mungesa totale e ajrit të kondicionuar e kthejnë mjetin në një “saunë kolektive”.
Nuk është çudi që të shohësh të moshuar që marrin frymë me vështirësi, fëmijë që qajnë nga vapa, e qytetarë të irrituar që përpiqen të gjejnë një cep ku të qëndrojnë në këmbë.
Madje ka dhe nga ata pasagjerë që zbresin dhe një stacion më larg destinacionit që ata kanë pasi më fresk është jashtë ku termometri në këto ditë shënon 40 gradë Celsius sesa në autobus.
Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme për “modernizimin” e flotës, të ashtuquajturat “linja të rinovuara” nuk përbëjnë asnjë përmirësim real për qytetarin e thjeshtë.
Në vend të urbanëve efikasë dhe me ajër të kondicionuar, kemi të njëjtat mjete të vjetra, që në shumë raste nuk kanë as dritare që hapen normalisht.
Kjo situatë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për shëndetin publik, veçanërisht për grupet vulnerabël.
Ndërsa Tirana krenohet me bulevarde të reja, fasada dhe panaire vere, qytetari i zakonshëm përballet çdo ditë me nënvleftësim, zvarritje dhe poshtërim urban.
Ku janë fondet për një transport publik të denjë? Ku është llogaridhënia për kompanitë private që ofrojnë një shërbim poshtërues dhe jashtë çdo standardi minimal europian?
Është koha që institucionet të ndalojnë së fshehuri pas propagandës dhe të përballen me realitetin: transporti publik në Tiranë është një krizë në heshtje që prek përditë mijëra qytetarë. Dhe nëse nuk ndërhyhet me urgjencë, kjo krizë do të thellohet edhe më shumë, duke e bërë jetesën urbane gjithnjë e më të padurueshme./Versus.al







