Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të enjte në qytetin La-Seyne-sur-Mer, në jug të Francës, ku një burrë i armatosur me një hanxhar është qëlluar për vdekje nga policia, pranë një shkolle në zonën bregdetare të Côte d’Azur.
Sipas mediave franceze, ngjarja ka ndodhur pas alarmit të dhënë nga banorët e zonës, të cilët kanë vënë re një burrë që lëvizte me një armë të madhe të ftohtë në dorë pranë një institucioni arsimor. Dëshmitarët raportuan se ai kishte kërcënuar edhe disa fëmijë, duke shkaktuar panik të madh në lagje.

Pasi mbërritën në vendngjarje, efektivët e policisë i kërkuan disa herë burrit që të hidhte armën, por ai refuzoi të zbatojë urdhrat dhe iu afrua më shumë efektivëve me hanxhar në dorë.
Për të neutralizuar situatën, policia fillimisht përdori taser, por për shkak të sjelljes së agresorit, u detyruan të qëllojnë me armë zjarri.
Burri u plagos rëndë dhe vdiq pak më vonë nga plagët e marra.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbuluar identitetin e personit dhe motivet e mundshme të veprimeve të tij. Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse ngjarja lidhet me ndonjë akt terrorist apo bëhet fjalë për një rast të izoluar të dhunës.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë pranë shkollave dhe institucioneve publike, veçanërisht në një periudhë me ndjeshmëri të lartë sociale në Francë.







