Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sërish veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, këtë herë ndaj një projekt-rezolute të paraqitur nga 10 anëtarët jo të përhershëm, e cila kishte në fokus situatën humanitare në Gaza. Uashingtoni u shpreh se projekt-rezoluta krijonte një “paralelizëm të rremë” midis Izraelit dhe Hamasit, duke mbetur kështu i izoluar nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar në këtë forum të lartë diplomatik.
Teksti i rezolutës kërkonte që Izraeli të hiqte menjëherë dhe pa kushte të gjitha kufizimet ndaj hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza, si dhe të garantonte shpërndarjen e tyre në mënyrë të sigurt dhe të pandërprerë. Po ashtu, rezoluta bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm, si dhe për lirimin e menjëhershëm, të dinjitetshëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Në një reagim pas votimit, një përfaqësuese e SHBA-së në OKB deklaroi se:
“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së zgjodhën të injorojnë paralajmërimin e SHBA-së, duke mbështetur një tekst të papranueshëm që nuk dënon Hamasin dhe që krijon një paralelizëm të rremë mes Izraelit dhe Hamasit.”
Kjo ndërhyrje e fortë diplomatike e Uashingtonit vjen në një kohë kur situata humanitare në Gaza është jashtëzakonisht kritike, ndërsa kritikat ndaj politikës së SHBA-së në rajon po rriten si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërkohë, ofensiva ushtarake izraelite në Gaza ka hyrë në fazën e saj më të ashpër, me bombardime intensive dhe sulme me raketa, që kanë goditur zona pranë disa prej pak spitaleve që ende funksionojnë në qytet.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), më shumë se 450 mijë palestinezë janë larguar nga Gaza City për të kërkuar strehim në jugun e Rripit të Gazës. Zëdhënësi i IDF-së, gjeneral brigade Effie Defrin, deklaroi se rreth një milion banorë kanë qenë të pranishëm në qytet para se të niste kjo ofensivë e gjerë kundër Hamasit.
“Që nga nata e së hënës, kemi goditur mbi 1.200 objektiva të konsideruara si terroriste”, deklaroi Defrin në një konferencë për shtyp, duke shtuar se qëllimi i operacionit është shkatërrimi i strukturave të Hamasit në qytet.
Në anën tjetër, Hamas ka paralajmëruar se asnjë nga pengjet që ndodhen ende në Gazë nuk do t’i dorëzohet Izraelit, duke deklaruar se ato janë shpërndarë nëpër lagjet e qytetit dhe se zgjatja e ofensivës ushtarake rrezikon jetën e tyre.
Gaza, dikur një nga qytetet më të dendura në botë, është kthyer tashmë në një zonë lufte, ndërsa kriza humanitare thellohet çdo orë. Organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për mungesën e ushqimit, ujit të pijshëm dhe ndihmës mjekësore për civilët e bllokuar.







