Një ngjarje e rëndë tronditi të martën (24 dhjetor) fshatin Metoq, Sarandë. Elvira Tahiraj 49 vjeç, goditi bashkëshortin e saj, Llazar Tahiraj, 55 vjeç, me sëpatë duke e lënë të vdekur. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti në familjen mes çiftit.
E pyetur nga policia 49 vjeçarja ka pranuar se ishte ajo autorja e vrasjes. Sipas burimeve gjakftohtë në pamje, por në dukje me probleme të shëndetit mendor, Tahiraj ka thënë se edhe në një rast tjetër ka tentuar ta vrasë burrin e vet, ndërsa nuk ka rrëfyer asnjë shkak që e çoi në këtë veprim.
Mësohet se ka qenë vajza e çiftit ajo që e ka gjetur të atin rreth orës 08:00 të pajetë dhe të rrethuar nga një pellg gjaku në shtratin e tij.
Pasi ka kërkuar për të nënën dhe e ka gjetur në derën e jashtme të shtëpisë, vajza ka telefonuar të motrën duke i rrëfyer se çfarë kishte ndodhur.
Sipas një komshiu të lagjes 49-vjeçarja kishte rreth orës 04.00 të mëngjesit që rrinte jashtë tek dera.
“Unë u ngrita për të shkuar tek shtëpia e babait tim që ishte i sëmurë dhe e pashë atë që rrinte tek dera dhe nuk reagoi fare kur kalova. U habita po nuk më shkoi në mend se çfarë mund të kish ndodhur”, u shpreh ai.
Sipas mjekut ligjor të Sarandës viktima është goditur në kokë dhe kishte shumë rrjedhje gjaku.
Prokurorja Esmeranda Basho pas hetimeve vendosi që trupi i viktimës, 55-vjeçarit Llazar Tahiraj të dërgohej në Mjekësinë Ligjore në Tiranë. 49-vjeçarja ditën e enjte do të dalë për masë në Gjykatë./Versus.al







