AKTUALITET /

Gjashtë ditë në koma pas dhunës barbare, Sokol Mëngjesi drejt përmirësimit! Mjekët tentojnë sot zgjimin e tij

Analizat e bëra së fundmi tregojnë një ulje të enjtjes në tru të avokatit Sokol Mëngjesi i cili ndodhet në gjendje kome prej 5 ditësh.

Shkruar nga B.V
Gjashtë ditë në koma pas dhunës barbare, Sokol Mëngjesi
Avokati Sokol Mëngjesi dhe 4 personat që e dhunuan

Tiranë- Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi i cili të mërkurën u dhunua me leva dhe grushte nga disa persona, paraqitet më e mirë.

Burime bëjnë me dije se mjekët në Spitalin e Traumës do tentojnë sot zgjimin e avokatit nga gjendja e komës ku ndodhet prej 6 ditësh. Skaneri i analizave tregon se ka ulje të ënjtjes në tru të avokatit.

Pavarësisht se gjendja e tij paraqitet e stabilizuar, Mëngjesi do të vijojë të jetë në intubim edhe për dy ditë.

Të arrestuar për dhunën barbare ndaj Mëngjesit janë Dorian Alia, një prej dhunuesve dhe Dritan Nano, i dyshuar si organizator i krimit. Alia rezulton të jetë dhëndri i Dritan Nanos. 

Ndërkohë, tre prej autorëve të akuzuar për dhunën ndaj tij janë ende në kërkim. Policia nuk ka asnjë gjurmë për Drivaldo Alian dhe Elton Kasajn si dhe për Romario Tabaku i cili dyshohet se largoi me makinë autorët nga vendngjarja. Për këdo që ka informacion mbi vendndodhjen e tyre, policia ofron 20 mijë euro shpërblim.

Pas zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, u zbulua se shkak për dhunën ndaj avokatit ishte bërë një gjyq që ky i fundit kishte fituar ndaj Dritan Nanos, njërit prej 8 pronarëve të cilëve Mëngjesi u kishte fituar gjyqin por Nano nuk kishte pranuar t’i jepte pagesën e shërbimeve të kryera. Versus.al

Poll