Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi, po zhvillohet seanca e radhës për koncesionin e Sterilizimit me vlerë 100 milionë euro. *Biznesmeni Ilir Rrapaj, i arrestuar që në gusht të vitit të kaluar si aksioneri kryesor i kompanisë “SanService”, është paraqitur në komision me pranga në duar i shoqëruar me masa të forta sigurie. *Ndërsa ortakët e tij italianë të cilët ishin parashikuar të pyeteshin pasditen e sotme, kanë njoftuar se nuk do të jenë të pranishëm me pretendimin se kanë angazhime personale. Për këtë, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi ka kërkuar ndërhyrjen e policisë për të bërë të mundur shoqërimin e shtetasve italianë të cilët për herë të tretë kanë neglizhuar thirrjen. *Nga ana tjetër zv.kryetari Plarent Ndreca tha se policia nuk e ka mundësinë të veprojë duke qenë se bëhet fjalë për shtetas italianë.
Sterilizimi/ Biznesmeni Rrapaj ankohet para Komisionit Hetimor: Kam që në 7 të mëngjesit me një gotë ujë
Biznesmeni Ilir Rrapaj ka dëshmuar sot para Komisionit Parlamentar hetimor për koncesionin e Sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.
Ai dëshmoi para Komisionit Hetimor prej rreth shtatë orësh, që kur u soll me pranga në duar ku mbante një tufë letrash dhe i shoqëruar nga forca të shumta policie.
Teksa deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa po vijonte me pyetje për të kuptuar pse përse ai duhet të merrte 180 milionë lekë nga koncesioni i sterilizimit, biznesmeni Rrapaj këmbëngulte se i ishte përgjigjur njëherë kësaj pyetj, duke shtuar se prej orës 07:00 të mëngjesit ishte vetëm me një gotë ujë.
Zhupa: Ku është ekonomizimi këtu dhe arsyeja pse duhej të kishit marrë 180 mln?
Rrapaj: E dhashë më lartë përgjigjen, nuk gjej dot një alternativë tjetër, edhe pse po shtrëngohem në këtë orë të vonë të pasdites, kam që në 7 të mëngjesit që kam pirë vetëm një gotë ujë!/Versus.al
“Beqajn nuk e njihja, i thoja ‘vlla’ se jam vlonjat”, biznesmeni i Sterilizimit: S’e mbaj mend me sa para e hapa kompaninë
Biznesmeni Ilir Rrapaj u është përgjigjur pyetjeve të bëra në komisionin e Sterilizimit lidhur me rolin e tij në lidhjen e marrëveshjes së koncesionit që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 100 milionë euro. Ai u pyet sesi ishte njohur më parë me ish-zv ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn, Ilir Beqajn dhe kryeministrin Edi Rama.
Për të gjitha rastet, Rrapaj u shpreh se me asnjërin prej tyre nuk ka pasur ndonjë njohje personale përveç njohjes që kishte për shkak të funksionit publik që ushtronin. I pyetur mbi informacionet e tij për koncesionin e Sterilizimit, Rrapaj tha se ishte informuar nga ortaku i tij italian Umbro Staccini.
Pyetje: Po Ilir Beqaj?
Rrapaj: Nuk kam pasur miqësi as më përpara as më gjatë as më vonë. E njihja vetëm kush ishte si ministër. E kam takuar tek aktiviteti i thirrur nga qeveria shqiptare.
Albana Vokshi: Nuk keni qenë ju që e keni ndihmuar të kurohet në një nga spitalet e Italisë
Rrapaj: Jo. Më vjen keq që s’kam qenë. E inkurajoj të freskojë memorien. As e njoh dhe as e kam njohur ndonjëherë
Ndërsa pyetjes së bërë nga Vokshi mbi kapitalin që kishte patur kompania e tij “SanService” në hapjen e saj, biznesmeni u përgjigj duke thënë se nuk i kujtohej një gjë e tillë. Pavarësisht se mbahet në burg prej më shumë se një viti për shkeljet në koncesionin e “Sterilizimit”, Rrapaj e cilësoi si “madhështor”.
Ndërkohë, Vokshi e pyeti gjithashtu për fotot ku Rrapaj rezulton në takimet që Ilir Beqaj si ministër Shëndetësie kishte zhvilluar me zyrtarë të Umbrias për t’u informuar mbi të mirat që supozohej të sillte koncesioni. Rrapaj sqaroi se ishte i ngarkuar nga vetë rajoni i Umbrias për të qenë i pranishëm.
Pjesë nga dëshmia:
Vokshi: Ishit ndërmjetës me marrëveshjen e rajonit të Umbrias me ministrinë?
Rrapaj: Kanë qenë vetë institucionet. Mua më zgjodhën vetë nga rajoni i Umbrias për eksperiencën dhe kontributet në jetën e përditshme civile
Vokshi: Në këto takime këtu flitet për marrëveshje dhe vetëm zyrtarët ulen në tryezë.
Rrapaj: Nuk jam i ftuar i ministrit unë aty, jam nënshtetas italian. Është takim zyrtar publik ku kam funksionet e mia të deleguara nga institucionet italiane. Jam me funksionin e ndihmësit të të gjithë procedurave të ndjekura për kryerjen e kësaj marrëveshje. Kjo është faza përgatitore, e hulumtimit. Jam përfaqësues i një shoqate “confirm Italia” pjesë e konfindustrisë.
Çfarë detyre ju ngarkua nga Confin Italia?
Rrapaj: Kam pasur kërkesë të ndihmoja deri në fazën fillestare. Versus.al
“Ka rrujt 1.5 mln euro”, deputeti i PD: Vilma Nushi është ngrohur 'ohoho' në plazh me lekët e shqiptarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ironizuar mos-thirrjen e sipërmarrëses Vilma Nushi për të dëshmuar në komisionin e ngritur për koncesionet në Shëndetësi, konkretisht atë të Sterilizimit.
Korreshi tha se Nushi ka përfituar 1.5 milionë euro nga ky koncesion, praktikisht pa bërë asgjë. Sipas tij, kushdo që ka marrë para nga fonde publike, është i detyruar të paraqitet në komision kur thirret nga deputetët.
“Ju po thoni që ai që ka marrë lekët, nuk qenkan pjesë e kontratës. Vetëm këtu e dëgjojmë që nuk duhet të thirren ata që marrin lekët, kush i ka marrë leket e shqiptarëve? Vetëm devidenti ka rrujt një milion e gjysmë euro, quhet kjo? Në qoftë se kjo i ka marrë se ka shit ndonjë barake jashtë lekëve të shqiptarëve, dakord s’po e thërrasim.
Ka marrë lekët e shqiptarëve kjo, ka përfituar fonde publike dhe është e detyruar të vijë në këtë komision. Pikë! Shoku Edi Rama, a ishte ky që i ngriti këto koncesionet si fitore mbi xhon turqit. Këtë vit na shpjegoi se pse u ngrit projekt i këtyre PPP, kap ca të kapësh dhe ca suksesi ka pas në buxhet.
Shoku Edi Rama e ka barë këtë kaq të madhe, se politikën e ka bazuar në këtë, fushatën e tij mbi PPT. Shoqa Vilma ka marrë 1.5 milion euro, i ka çuar në plazh, është ngrohur atje me 1.5 milion euro të shqiptarëve. Ne presim të kthehet, nëse është me pushime”- u shpreh Korreshi ndër të tjera.
Ndërsa deputetët e mazhorancës, kanë vijuar me kërkesën e tyre që të shmanget përmendja e emrave në komision dhe kërkuan që mbledhja të vijojë me pyetjen e biznesmenit Ilir Rrapaj. Versus.al
“Nuk mbyllet komisioni pa dëshminë e Vilma Nushit”, Ndreca përplaset me Vokshin: Po u bëni gjyqin njerëzve

Mungesa e dëshmitarëve italianë në mbledhjen e komisionit hetimor për Sterilizimin, ka sjellë debate të shumta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi u përplas me Plarent Ndrecën dhe argumentoi se komisioni nuk do të mbyllë hetimet pa dëshminë e sipërmarrëses Vilma Nushi dhe të kryeministrit Edi Rama.
Kundrejt kërkesës së deputetëve të mazhorancës për të mos përmendur emra të dëshmitarëve, Vokshi reagoi ashpër duke e cilësuar këtë si një porosi të dhënë nga kryeministri Rama për të mos përmendur emrin e biznesmenes Vilma Nushi.
Pjesë nga diskutimi
Vokshi: Unë kam kërkuar në grup që sekretaria të njoftojë Vilma Nushin dhe Gentjana Peposhin, nuk e di pse nuk janë njoftuar sepse edhe vendimi i fundit e ka të cilësuar që çdo anëtar i komisionit mund të thërrasë çdo dëshmitar pa e hedhur në votim për vendim të ndërmjetëm sipas vendimit të fundit të Kushtetueses. Është e domosdoshme që Vilma Nushi të vijë nesër në komision ose të mërkurën sepse ky nuk mbyllet pa dëshminë e Nushit dhe Edi Ramës, s’mund të mbyllet pa faktorët kyç në dhënien e koncesioneve.
Ndreca: Po jep argumente krejtësisht politike (Zhupës), zonja Nushi sepse qenka edhe kontributore e PS, kjo qenka një arsye përse duhet të jetë para nesh, biznesmen që ka kontribuar dhe t’u bëjmë gjyqin njerëzve që u përmendim emrin pa kriter që i vënë në gojë kur janë në punë e tyre, i paragjykojmë. Më lër të mbaroj argumentin.
Vokshi: Sa mbaruam me aksionerët italianë, aksionarja Vilma Nushi nuk duhet të vijë ë?!
Ndreca: Ne as nuk jemi denoncuar as nuk jemi denoncues, s’jemi prokurori, se çfarë do të dalë.
Vokshi: Ti ke marrë porosi që vetëm Vilma Nushi të mos prekej, ndryshe ajo do vinte. Vilmën që ke këtu ta mbroj. As më duhet leja juaj fare mua.
Ndreca: Është mendimi im.
Vokshi: Ky është mendimi i Edi Ramës.
Ndreca: Ato (Nushi dhe Peposhi) s’kanë lidhje me kontratën e Check Up-it, s’mund të thërrasim aksionerë të aksionerëve.
Vokshi pati gjithashtu përplasje edhe me deputeten Edona Bilali pasi kjo e fundit pretendoi se me përmendjen e emrave dëmtohet edhe sipërmarrja e huaj në Shqipëri pasi në këtë mënyrë biznesmenët stepen për të investuar në vendin tonë.
Diskutimi Bilali-Vokshi:
Bilali: Shqetësimi që dua të ngre këtu lidhet me përmendjen e emrave. Nuk më duket
Vokshi: e gjithë kjo është për të mbuluar Vilma Nushin.
Bilali” Unë po zbuloj përse ishte aq e vështirë t’ju mbushnim mendjen sipërmarrësve të huaj të vinin në Shqipëri. Çfarë mendoni se kur përmenden për të dhënë dëshmi në parlament…edhe fjala hajdut edhe vjedhje, nuk më duken fare normale. Nuk jemi ne gestapo që të thërrasim njerëzit këtu dhe të bëjmë reprezale për çfarë kanë bërë në bizneset e tyre
Vokshi: Për kë e ke fjalën për Vilma Nushin? Meqë është sponsorja e Edi Ramës nuk duhet përmendur? Është dëshmitare, do e përmendim.
Bilali: Nuk është normale të marrim nëpër gojë emra
Vokshi: Ju ka dhënë urdhër Edi Rama të mbroni Vilmën. Kjo është kërkuar dëshmitare nga opozita. Edi Rama është i detyruar të vijë si dëshmitar se e ka thirrur opozita.
Mungesa e ortakut italian te ‘Sterilizimi’, propozimi i Mziut: T’i shkojmë në spital për t’i marrë dëshminë

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu ka bërë një propozim lidhur me mungesën e ortakëve italianë të kompanisë “Sanservice” që fitoi koncesionin e Sterilizimit. Duke marrë si shembull, Umbro Staccinin, Mziu tha se nuk ka asnjë arsye të vlefshme për mosparaqitjen në komision për të dëshmuar.
Ndërsa tha se nëse personi në fjalë është në spital për shkak të ndonjë problemi shëndetësor, atëherë për të shmangur ndërhyrjen e policisë, anëtarët e komisionit, mund të shkojnë në spital për ta pyetur.
“Nuk besoj se ka ndonjë argument që nuk duhet të vijnë përfituesit kryesorë. Aq më tepër përfitues që nuk kishin asnjë lloj lidhje me atë shërbim që jepej. Të gjithë e dimë se kush ishte përfituesi, mjafton të shohësh mjetet e parkuara. Ka ndodhur dhe në komisione të tjera që një person që nuk vjen, për shkaqe të ndryshme, gjendjen metoda të tjera si për shembull online. Por madje edhe duke shkuar ne në spital nëse është e nevojshme. Të shohim sesa rëndë është ky zotëri dhe ëë shkojmë si komision në spital dhe ta pyesim e ta shohim sesa e rëndë është gjendja e tij. Për të mos shkuar deri te policia, do iu sugjeroja edhe mazhorancës që nëse është në spital, t’i shkojmë në spital t’i marrim dëshminë nëse ai e ka të pamundur paraqitjen”- u shpreh Mziu ndër të tjera.
3 ortakët italianë në koncesionin e Sterilizimit, kanë munguar për të tretën herë në komision me argumentin se kanë angazhime personale për të kryer në Itali. Versus.al
Ortakët italianë për ‘Sterilizimin’ nuk paraqiten në komision, Vokshi: Të shoqërohen nga policia

Në nisje të mbledhjes së komisionit të Sterilizimit, kryetarja Albana Vokshi njoftoi se 3 prej dëshmitarëve italianë të thirrur për të dëshmuar, për herë të tretë kanë njoftuar se nuk do të jenë të pranishëm duke u justifikuar se kanë angazhime personale në Itali.
Bëhet fjalë për Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello, Giorgio Tardioli të cilët sipas Vokshit janë aksionerë të kompanisë fituese të koncesionit të Sterilizimit.
“3 zotërinjtë dhe zonja italiane janë aksionerë në kompanitë fituese të koncesionit të Sterilizimit. Të tre shtetasit italianë refuzuan të ishin prezentë në mbledhjen e komisionit. Herën e parë nga thanë se ishin në Japoni për biznes, të premten na thanë se ishin në Rumani, sot për herë të tretë nuk u paraqitën dhe njoftohemi që shtetasit italianë kanë njoftuar se për shkak të angazhimeve të tyre personale në Itali dhe kohës së shkurtër të njoftimit, pavarësisht se kjo është hera e tretë që thirren, e kanë të pamundur të jenë prezentë. Dëshmia e të tre shtetasve është kyçe për këtë hetim. Secili prej tyre është jo vetëm aksioner i kompanisë fituese të sterilizimit, dy prej tyre kanë marrë miliona lekë me konsulencë private të marra drejtëpërdrejt nga koncesioni”- tha Vokshi.
Më tej ajo tha se do të njoftohet policia që të bëjë shoqërimin e këtyre shtetasve sipas procedurës penale për shkak se kjo është hera e tretë që ata kanë refuzuar të jenë të pranishëm në komision.
“E konsiderojmë të domosdoshme thirrjen e tyre dhe dëshminë e tyre për vijimin e hetimit parlamentar. Meqë është hera e tretë që refuzojnë, do të vijojmë në bazë të kodit të procedurës penale duke njoftuar policinë që të sigurojë praninë e tyre në komisionin hetimor”- shtoi kryetarja.
Në komision është i pranishëm sot për të dëshmuar biznesmeni Ilir Rrapaj i cili është aksioneri kryesor i kompanisë së Sterilizimit. Versus.al
VIDEO/ Me pranga dhe letra në duar, momenti kur biznesmeni i 'Sterilizimit' 100 mln eurosh mbërrin në komision
Ky është momenti kur Ilir Rrapaj, biznesmeni që me kompaninë e tij “SaniService” fitoi tenderin për koncesionin e Sterilizimit, u paraqit për të dëshmuar në komisionin hetimor.
Me pranga në duar ku mban një tufë letrash, biznesmeni i burgosur që prej gushtit të vitit të kaluar u shoqërua nga forca të shumta policie për në sallën ku mbahet mbledhja e komisionit hetimor të koncesioneve në Shëndetësi.
Ai do të pytetet mbi rrethanat në të cilat ai u shpall fitues i tenderit për koncesionin, ndërsa më vonë rreth orës 18:00 është parashikuar të pyetet edhe ortaku i tij italian Umbro Staccini. Versus.al
‘Sterilizimi’, thirren sot në për të dëshmuar biznesmeni i arrestuar, Ilir Rrapaj dhe ortaku i tij italian

Komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi do të zhvillojë sot seancën e radhës ku do të vijojë pyetja e dëshmitarëve për koncesionin e Sterilizimit. Mësohet se mes dëshmitarëve që pritet të paraqiten në komision, është edhe biznesmeni i arrestuar Ilir Rrapaj së bashku me ortakun e tij italian Umbro Staccini të cilët në 2015-ën me kompaninë “SaniService” fituan koncesionin prej 100 milionë eurosh të sterilizimit.
Biznesmeni ndodhet në arrest me burg’ prej 16 gushtit 2024, ndërsa I arrestuar është edhe ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj. Ky i fundit u mor në pyetje në gusht të këtij viti para komisionit ku dha dëshminë mbi rolin e tij si zv.ministër i dikasterit. Biznesmeni Rrapaj ndodhej me pushime në Dhërmi kur dhe i janë vënë prangat pasi kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK lidhur me procedurat e koncesionit për sterilizimin e përsonalizuar të pajisjeve kirurgjikale një përdorimshe.
Mes listës së dëshmitarëve të thirrur për t’u pyetur sot është edhe Anila Denaj, e cila asokohe ka mbajtur postin e drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm për Kujdesin Shëndetësor. Denaj mësohet se nuk ka qenë dakord me çmimet e larta të koncesionit të Sterilizimit dhe madje ka paraqitur edhe ankesë për të.
Lista e dëshmitarëve:
Ora 9.30 Ilir Rrapaj
Ora 14.00 Anila Denaj
Ora 16.00 Altin Fani
Ora 18.00 Umbro Staccini
Ora 19.00 Elisabetta Anzanello
Ora 20.00 Giorgio Tardioli
Komisioni ka intensifikuar ritmin e punës duke qenë se për disa herë radhazi është shtyrë afati i daljes me një raport përfundimtar duke qenë se ka pasur bojkot nga ana e deputetëve të opozitës. Një prej dëshmitarëve që pritet të merren në pyetje është edhe ish-ministri Ilir Beqaj i cili ka detyrim paraqitje për hetimet që po zhvillohen lidhur me koncesionet në Shëndetësi ndërsa mbahet në burg për abuzim me fondet e agjencisë “SASPAC”. Versus.al







