Çfarë do të gjeni në brendësi
* Shpopullimi, qeveria teknike, ndalimi i Tik Tok dhe rritja e pensioneve dhe pagave, janë disa nga motivet që kanë nxjerrë sërish sot demokratët në protestën e pestë të mosbindjes civile. * Edhe këtë herë demokratët janë shpërndarë në 5 pika dhe pritet që tubimi të zgjasë rreth tre orë. Kërkesa edhe në këtë protestë vijon të jetë e njëjtë, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. * Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar mosbindjes civile. Ai u është bashkuar protestuesve tek zona e rrugës së Elbasanit. * Gjatë një prononcimi për mediat, kryedemokrati Berisha tha se, kjo e sotmja është dita e demokratëve dhe mosbindja civile nuk do të ndaloj deri në realizimin e objektivave të opozitës, qeveri teknik dhe zgjedhje të lira.
VIDEO/ Agron Gjekmarkaj transferohet në QSUT për mjekim më të specializuar
Deputeti dhe nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj është transferuar për në QSUT për mjekim më të specializuar.
Vendimi është marrë nga mjekët e urgjencës së Spitalit të Traumës, të cilët i kanë dhënë edhe ndihmën e parë, pas incidentit të ndodhur gjatë mosbindjes civile tek zona e pallatit me Shigjeta.
Gjekmarkaj është shoqëruar me autoambulancë drejt QSUT-së, ku pritet që të marrë mjekim më të specializuar për situatën e tij shëndetësore.
Policia përgënjeshtron Berishën: Gjekmarkaj nuk u ndje mirë dhe iku, Flamur Noka qëlloi policët
Me anë të një deklarate për mediat, policia ka përgënjeshtruar deklaratat e kryetarit të PD, Sali Berisha për dhunimin e Agron Gjekmarkaj.
Në reagimin e saj, policia thotë se, ‘deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta’.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.
Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.
Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
FOTO/ Berisha viziton në spital deputetin e PD, Agron Gjekmarkaj
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vizituar deputetin dhe nënkryetarin e PD-së, Agron Gjekmarkaj, i cili ndodhet në spitalin e Traumës, pas situatës që kaloi në protestën tek zona e Pallatit me Shigjeta.
‘Do të shkoj të shoh pak në spital nënkryetarin e parlamentit dhe nënkryetarin e PD që e kanë lënduar në atë shkallë sa është detyruar të transportohej në spital’, tha Berisha për mediat para se të shkonte.
Gjakoset Xhelal Mziu te rruga e Elbasanit, deputeti i PD-së akuzon policinë për dhunë
Deputeti demokrat Xhelal Mziu është gjakosur gjatë protestës tek rruga e Elbasanit.
Ai ka kuzuar policinë se, është dhunuar.
Gjatë protestës te rruga e Elbasanit, Mziu ka deklaruar se një efektiv policie e ka gjuajtur me skafandër në dorë.
Mziu ka treguar se ka marrë plagë dhe është gjakosur në dorë.
Humbi ndjenjat, Agron Gjekmarkaj: Një polic më gjuajti me shkelma sikur të mos ishim njerëz po prej betoni
Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj është shprehur se është dhunuar nga policia gjatë protestës. Ai shprehet se edhe pse i është prezantuar si deputet, përsëri ndaj tij është ushtruar dhunë.
Deputeti demokrat shprehet se e kanë shtyrë dhe e kanë gjuajtur me shkelma.
Veprimet e policisë, deputeti i PD-së i konsideron si provokim, ndërsa thekson se qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar.
“I thashë jam nënkryetari i Parlamentit por këtu nuk ka më institucione, ka vetëm violencë dhe rezistencë qytetare.
E gjitha është përpjekje për të krijuar provokim, sepse qytetarët kanë të drejtë të protestojnë.
Bashkia e Tiranës i bën aktivitetet në rrugë edhe PS, është e drejta e Partisë Demokratike, e qytetarëve të protestojnë në rrugë. Po rrëmbejnë qytetarët. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në protestë.
Të gjithë do të përgjigjen para drejtësisë për mënyrën si po sillen. Një polic erdhi më shtyu me duar e më gjuajti me shkelma sikur të mos ishim njerëz po prej betoni”, tha Gjekmarkaj per mediat./Versus.al
VIDEO/ Deputeti Agron Gjekmarkaj humb ndjenjat, Berisha: E goditën kriminelët me uniforma
Deputeti Agron Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë teksa ishte i pranishëm në protest tek 'Pallati me Shigjeta'.
Ai ka humbur ndjenjat ndërsa në ndihmë i kanë ardhur kolegët e tij dhe protestuesit që ishin të pranishëm.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha fajëson uniformat blu pasi sipas tij e kanë goditur deputetin e Partisë Demokratike.
'Tani informohem se kriminelët me uniformë kanë goditur nënkryetarin e PD-së Agron Gjekmarkaj.
Ky është një akt kriminal i porositur direct nga Edi Rama, i cili ndjek me tmerr protestën e opozitës dhe përzgjedh drejtues të saj për t’i targetuar. E siguroj Edi Ramën dhe Ervinin me 3 mbiemra se do mbahen përgjegjës personal për dhunën fizike ndaj nënkryetarit të PD-së dhe Parlamentit dhe i shpreh atij solidaritetin e madh.
Rama është një hakmarrës i verbër i cili për pushtetin e tij nuk ndalet para asnjë krimi, por opozita do t’i tregojë vendin siç e meriton. Edhe një herë, dënoj këtë akt të shëmtuar, këtë krim të vërtetë ndaj Gjekmarkajt në mosbindje civile.' është shprehur Berisha.
Flamur Noka përplasje të ashpër me shefin e komisariatit 1 te rruga e Elbasanit
Një përplasje e fortë është shënuar mes protestuesve dhe policisë te Rruga e Elbasanit.
Mësohet se deputeti i PD Flamur Noka është përplasur me shefin e komisariatit nr. 1, Robert Gjoshi.
Noka dhe shefi i komisariatit nr 1 kanë pasur përplasje fizike.
“Kriminel, ka policë me kallash”, ka thënë Noka.
Situata erdhi, pasi policia kërkoi që të zhbllokohet segmenti rrugor.
VIDEO/ Deputetët e opozitës përplasen me policinë tek sheshi ‘Willson’, disa të shoqëruar tek pallati me ‘Shigjeta‘
Protestuesit dhe policia janë përplasur te sheshi “Wilson”, pasi blutë ndërhynë për të liruar rrugën.
Policia shtyu qytetarët, gjë që pasoi momentet e tensionit. Deputetë të opozitës, ndër të cilët janë edhe Luan Baçi, Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, janë përplasur me policinë. Në përplasje u përfshi edhe Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Policia ka shoqëruar protestues te “Pallati me shigjeta”. Janë dy persona të shoqëruar te “Pallati me shigjeta”.
Ndërkohë, policia ka ndërhyrë edhe tek protesta që po zhvillohet tek Bashkia e Tiranës për të shpërndarë protestuesit.
Tensione mes protestuesve dhe policisë ka patur edhe tek zona e Zogut të Zi.
Policia kërkon të zhbllokojë rrugët, përplasje në të gjitha pikat e bllokuara
Ka përplasjes mes protestuesve dhe policisë tek në të gjitha pikat ku janë bllokuar rrugët nga ana e protestuesve.
Në zonat e Zogut të Zi dhe sheshit Willson, opozita qëndron prej më shumë se 1 orë në protestë duke bllokuar rrugët.
Pas thirrjeve të shumta me megafon, policia ka nisur edhe aksion për hapjen e rrugës.
Përpasje ka pasur edhe në zonën e pallatit me ‘Shigjeta’./Versus.al
VIDEO/ Nëna bërtet mes turmës së protestuesve: Hapni rrugën, kam fëmijën sëmurë
Protesta e opozitës e organizuar pasditen e së hënës në Tiranë po shoqërohet me tensione mes protestuesve dhe drejtuesve të automjeteve, për shkak të bllokimit të disa rrugëve kryesore në kryeqytet.
Një incident i parë ndodhi pranë mbikalimit të Pallatit me Shigjeta, ku një nënë shoqëronte fëmijën e saj të sëmurë dhe u përball me turmën e protestuesve.
Ajo bëri thirrje për hapjen e rrugës, duke theksuar nevojën urgjente për të shkuar në spital.
“Nuk e dija fare që ishte kështu. Të lutem, hapni rrugën, kam një fëmijë për spital. I kam thënë policit ta hapë”, u shpreh ajo me shqetësim./Versus.al
Berisha i bashkohet protestuesve te rruga e Elbasanit: Nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar mosbindjes civile që po zhvillohet në Tiranë.
Ai u është bashkuar protestuesve që ndodhen pranë urës tek Rruga e Elbasanit.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:
Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar, objektivat e tyre.
Sot një nga ditët një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është përsëri dita e demokratëve.
Ja ku jemi në detyrë.
Në protestë. Në revoltë. Në mosbindje, ndaj narkodiktatorit.
Ky dimër premton të jetë i vështirë, si për argatin e Tiranës, ashtu dhe për padronin e Beogradit.
Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin edhe në Tiranë të ardhme nuk ka.
I përshëndes nga zemra, të gjithë ata qytetare e qytetarë, demokrate e demokratë që janë mbledhur sot nga të katër anët e vendit dhe kanë marrë Tiranën.
I përshëndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se, kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira.
FOTO/ Opozita nis mosbindjen civile bllokohen akset kryesore rrugore, kaos në Tiranë
Shpopullimi, qeveria teknike, ndalimi i Tik Tok dhe rritja e pensioneve dhe pagave, janë disa nga motivet që kanë nxjerrë sërish sot demokratët në protestën e pestë të mosbindjes civile. Ndryshe nga herët e tjera këtë herë protestës i bashkohet edhe kreu demokrat, Sali Berisha.
Në rrugën e Elbasanit ka një numër të shtuar qytetarësh.
Te Sheshi Wilson protestuesit kanë bllokuar rrethrrotulllimin, pavarësisht se policia ka njoftuar se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale.
Po kështu edhe te Bashkia e Tiranës është paralizuar krejtësisht qarkullimi.
Edhe këtë herë demokratët janë shpërndarë në 5 pika dhe pritet që tubimi të zgjasë rreth tre orë. Kërkesa edhe në këtë protestë vijon të jetë e njëjtë, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një deklarate ku bën të ditur se PD ka bërë kërkesë për 3 orë tubim, nga ora 17:00 deri në orën 20:00. Në reagim, policia thekson se garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni, thekson policia duke sugjeruar ndërkohë rrugë alternative për qytetarët.







