Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mëngjesin e së martës në orën 10:00 prite të mblidhet komisioni i ligjeve në bashkinë e Tiranës për nisjen e procedurave për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. *Mbledhja do të pasohet nga një tjetër mbledhje e këshillit bashkiak të Tiranës në orën 16:00 të pasdites ku do të votohet pro shkarkimit të Veliajt. Këtë gjë e kanë iniciuar këshilltarët socialistë, ndërsa demokratët kanë deklaruar se po ashtu do të votojnë pro, paçka se kërkojnë që Veliajt t’i jepet e drejta që të jetë i pranishëm fizikisht. *Nga ana tjetër me anë të një shkrese zyrtare të firmosur nga sekretari i këshillit bashkiak, Behar Zeneli, Veliaj njoftohet se në rast se nuk mund të paraqitet fizikisht, atëherë le të dërgojë një letër me pretendimet e tij. *Nuk ka vonuar as përgjigjia e kryebashkiakut, i cili pretendon se nuk është njoftuar zyrtarisht për një mbledhje të këshillit dhe as për tematikën e kësaj mbledhje. Në rast shkarkimi, fjal e fundit e thotë kryeministri Edi Rama me firmën e tij.
Këshilli bashkiak i kërkoi të çonte letër, Veliaj: S'mund të më reduktoni të drejtat, nuk më keni njoftuar
Pas shkresës së Këshillit Bashkiak ku i kërkohej që në rast pamundësie për t’u paraqitur në mbledhjen që mbahet nesër në orën 16:00 për shkarkimin e tij, kryebashkiaku i arrestuar ka kthyer përgjigjie ndaj organit kolegjial të bashkisë Tiranë.
Duke patur parasysh që shkresa ishte firmosur nga sekretariati i këshillit, Veliaj shkruan se sekretari nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial siç është këshilli. Më tej Veliaj pretendon se këshilli nuk i ka dërguar asnjë shkresë zyrtare lidhur me protokollin e mbledhjes, për çfarë do të zhvillohet dhe për cilat arsye kërkohet shkarkimi i tij.
Përgjigjja e Veliajt:
Në përgjigje të shkresës nr. 32059/2 prot., datë 22.09.2025, me firmën e sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit të iniciuar ndaj tij, si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Sekretarit të Këshillit që shkon përtej funksioneve tekniko-administrative përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksionar administrativ, jo organ politik me vendimmarrës në këtë procedurë. Kompetenca e tij kufizohet në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjeve; shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve; protokollimin dhe mbajtjen e procesverbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor të japë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t’u dëgjuar apo për të interpretuar kërkesat e Kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e Kryetarit, e drejta për t’u dëgjuar dhe mbrojtur e Kryetarit të Bashkisë, nga një organ kushtetues është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të reduktohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.
Pavarësisht sa më sipër, nga përmbajtja e shkresës së dërguar nga ana e sekretarit të Këshillit Bashkiak, unë kryetari bashkisë vetëm informohem se Këshilli Bashkiak, ditën e nesërme, në orën 16:00, ka një mbledhje, pa u informuar zyrtarisht se për çfarë do të zhvillohet kjo mbledhje dhe cili është rendi i ditës së saj, si dhe nuk kam asnjë informacion zyrtar (përveç lajmit mediatik) lidhur me garantimin e së drejtës për t’u dëgjuar në këtë mbledhje, e cila edhe nëpërmjet kërkesës nga ana ime do të duhej të më ishte mundësuar kryesisht nga ana juaj.
Ende sot, një ditë përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, nuk jam informuar zyrtarisht nga ky këshill lidhur me mbajtjen e një mbledhjeje në të cilën do të vendoset lidhur me shkarkimin tim si Kryetar Bashkie, shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj, këndvështrimin e sqarimeve dhe provave nga ana ime lidhur me shkeljen e pretenduar dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur, dhënë shpjegime dhe për t’u dëgjuar nga ky organ kolegjial, as fizikisht dhe as me shkrim. Për tërë këtë periudhë kam qenë i ndodhur në kushte e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara.
Për sa më sipër, mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij.
KRYETARI
Erion Veliaj. Versus.al
Veliaj kërkoi të ishte në mbledhjen e shkarkimit të tij, Këshilli Bashkiak: Na dërgo pretendimet me shkrim
Kreut të bashkisë Tiranë, Erion Veliajt i është kthyer një përgjigjie nga institucioni i këshillit bashkiak lidhur me kërkesën e bërë prej tij që të jetë i pranishëm në mbledhjen ku do të votohet shkarkimi duke qenë se prej 10 shkurtit mbahet në paraburgim.
Në përgjigjen zyrtare Veliajt i rekomandohet që në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhje, atëherë pretendimet e tij mund t’i dorëzojë me shkrim.
Kujtojmë se kreu i bashkisë ende nuk ka bërë kërkesë tek drejtoria e burgjeve për t’u paraqitur në mbledhjen e këshillit bashkiak që pritet të mbahet nesër në orën 16:00 për shkarkimin e tij. Versus.al
Firmën e fundit e ka Rama, këshilltarët bashkiakë të Tiranës ‘vulosin’ nesër fatin e Veliajt
Të nesërmen në orën 10:00 Komisioni i Ligjeve në bashkinë e kryeqytetit do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Pas kësaj mbledhje, në orën 16:00 të pasdites do të mblidhet këshilli bashkiak ku pritet të diskutohet mbi këtë kërkesë, teksa nga ana tjetër kreu i bashkisë Tiranë ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje. Mbi këtë kërkesë të tij ende nuk ka një vendim të caktuar. Këtë gjë e mbështetën edhe këshilltarët e PD-së.
Ndërsa këshilltarët e PS u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Do të duhen 31 vota në këshillin bashkiak nga 61 anëtarë që janë gjithsej për të shkarkuar Veliajn i cili prej 10 shkurtit të këtij viti mbahet në paraburgim dhe së fundmi në dosjen hetimore i janë ngarkuar akuzat për kryerjen e 5 veprave penale. Në rast se miratohet në këshill, prefekti i Tiranës ia kalon çështjen qeverisë e cila vendos për shkarkimin.
Por edhe në rast se kjo ndodh, Veliaj ka mundësinë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh dhe në këtë rast, vendimi i qeverisë do të pezullohej derisa të ketë një vendim nga gjykata. Versus.al







