
Kryeqytetasit janë mposhtur me rezultat të thellë në derbin e Tiranës përballë Dinamo City. Skuadra e Dinamos i dha një leksion të mirë futbolli Tiranës duke fituar me rezultatin 6:2 dhe duke treguar edhe njëherë hendekun e madh të dy ekipeve që luftojnë për objektiva të kundërta këtë sezon.
Blutë diktuan ritmin e tyre me tre gola radhazi nga Guindo, Qardaku dhe Bregu, ndërsa goli i Rafaelit dha një sinjal para pushimit.
Dinamo nuk e uli “marshin” as në pjesën e dytë kur erdhi goli i katërt me Villan që praktikisht i shuajti shpresat e Tiranës. Më pas ishte përsëri Qardaku dhe pas tij Bregu me një penallti të përsëritur që e çuan numrin e golave për “nëndetësen” në 6, ndërsa Tare nga ana tjetër shënoi golin e dytë sa për statistikë.
Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu përgëzoi kundërshtarët për fitoren dhe tha se fillimi i pjesës së dytë shuajti çdo shpresë që kishin për të përmbysur rezultatin.
“Personalisht mendoj se 30 minutëshi i parë ishte vendimtar. Dy golat e shpejtë na goditën shumë, pamë edhe gola shumë të bukur, vështirë të mbroheshin. Në momentin që shkuam 3-1 besuam shumë që të përmbysnim. Por sapo filloi pjesa e dytë, erdhi goli i bukur i Vilës, na prishi gjithçka. Dinamo nuk e uli “marshin” as në pjesën e dytë, 3 gola të tjera, me autorë Lorenco Vila, Qardaku dhe Bregu. Qardaku dhe Bregu finalizuan dopietë personale në këtë duel, ndërsa në listën e shënuesve nuk mungoi as Etienne Tare për bardheblutë”, tha ai.
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja tha se ata e morën serozisht rivalin, por theksoi se lojën e kishin të fituar që në 25 minutat e para.
“Një fillim që na ndihmoi në aspektin psikologjik. Për kundërshtarin ishte e kundërta. Kishim gjetur mënyrën e duhur për të kapur mesin e fushës. Sigurisht që shënimi i golave na e lehtësoi ndeshjen. Në një rezultat 3-0 në 25 minutat e para, loja ishte e mbyllur. Kthehemi te fitorja. Nuk e mendoja se do e zgjidhnim kaq lehtë ndeshjen”, tha trajneri Daja.
Pas 14 javësh, Dinamo e Ilir Dajës afrohet 3 pikë me kreun, me 23 pikë, ndërsa “rekordmenët” e Shqipërisë, Tirana, janë zhytur në fundin e tabelës dhe nuk dihet nëse do të arrijnë të mbijetojnë këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar. Versus.al
