
Dy punonjës të policisë rrugore janë nën akuzë se kanë fshehur provat në lidhje me një aksident me vdekje në autostradën Tiranë-Durrës.
Në orët e para të mëngjesit të tre ditëve më parë, një përplasje do ti merrte jetën motorristit Roland Tafa, por lajmet e para të dhëna nga policia flisnin për një humbje kontrolli nga ana e viktimës, por më pas është zbuluar e vërteta.
Tafa duke udhëtuar me motor ishte përplasur nga një makinë, dhe më pas ka humbur jetën për shkak të aksidentit.
Nga hetimi është zbuluar se dy punonjës të policisë rrugore, Arta Shurbi dhe Zyber Halili, kishin fshehur provat për të shpëtuar nga përgjegjësia penale, 32-vjeçaren Denisa Gërdeci.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas një hetimi të thelluar në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin penal të kësaj Gjykate, e cila ka vendosur:
1. Masën e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit” për A.SH., 50 vjeçe, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”;
2. Masën e sigurisë “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për Z.H., 57 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata ka vendosur “Hetim në gjendje të lirë” për shtetasen D. G., 32 vjeçe, e dyshuar për kryerjen e veprës penale ”Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.
Punonjësit e policisë dyshohet se nuk kanë kryer veprimet e duhura proceduriale në përputhje me Kodin Rrugor, për trajtimin e një aksidenti në aksin rrugor Karreç-Tiranë. Nga hetimet e kryera rezulton se edhe pse kanë marrë dijeni për ngjarjen, ata kanë fshehur provat e faktet penale për aksidentin, duke mos marrë masa për përcaktimin e fajësisë, për të shmangur shkelësin nga përgjegjësia penale dhe administrative.







