Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Fillimisht ai foli për kërkesat që ai të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, duke i konsideruar këto si kërkesa të pabaza.
Ndërsa tha se pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj, tashmë ai dhe PS nuk do të heshtin ndaj vendimeve të SPAK apo GJKKO. Ai tha se institucionet e drejtësisë kanë humbur qëndrimin konstruktiv përballë kërkesës së popullit për të ndëshkuar politikanët dhe akuzave të bëra pprej opozitës.
"Ishte interesante sesi u ekzaltuan ngaarrestimi i Erionit dhe sesi u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër me blozë i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallat e partiçkave. U përndezën nga era e mishit me gjak dhe e kanë vënë shishen poshtë që të vijnë të kërkojnë dorëheqjen time. Se u bë deti kos tani dhe o burra të hidhemi te kryeministria.
Marrja e kryebashkiakut nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla cerek milionë zgjedhës, është një ngjarje e madhe që nuk mund ta kaloj pa koment. Lajmi që kam për ju sot, është se unë nuk do i mbaj më opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme që duhen ndarë me publikun në të gjitha rastet që drejtësia do bëjë punën e saj.
Sot opinion im është ky, drejtësia e re ka hyrë në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm dhe mbështetja jonë do vazhdojë njësoj, por ama nuk ka më përse të mos i shprehim opinionet kritike që sot në këtë fazë janë të domosdoshme për të ndihmuar drejtësinë e pavarur.
Heshtja jonë patjetër që i ka ndihmuar institucionet e reja të drejtësisë deri këtu. Por sot u mungon kritika konstruktive, sepse institucionet e drejtësisë përballen sot me dëshirën e një pjese të konsiderueshme të publikut ose sulmet barbare denigruese të asaj pjese të opinionit të udhëhequr nga armiqtë e reformës, nga bufi stërplak i kënetës. Pozicioni konstruktiv është bosh. Asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë heshtja jonë është keqkuptuar jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi apo komentatorët e shumtë që na duan të vdekur dhe cdo mbrëmje dalin të ekazaltuar me thikë në gojë, por edhe nga konsumatorë të reformës të cilët përkundër privilegjeve shumë speciale që u janë dhënë nga reforma"- u shpreh Rama.
Kreu i ekzekutivit tha se prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm paguhen nga fondet e shtetit dhe theksoi se prej tyre pritet drejtësi europiane.
"Këta konsumatorë duhet tja kursejnë publikut çorbën e derrit në reformën në drejtësi. Nuk ka makineri perfekte dhe institucon që të mos ketë probleme. Nuk ka sesi të mos ketë probleme në këtë fazë, në këto institucione, në raportin e tyre me standartet aq më tepër kur janë institucione të reja. Por pikërisht se janë më të privilegjuarit e më të mbështeturit, se po të flitet këtu jo fonde të Sorosit, jo leshi me qime, por në fakt fondet që u janë dhënë këtyre institucioneve në masën 99% janë fonde të taksapaguesve shqiptarë. Prej tyre pritet drejtësi gjithnjë e më europiane. Nuk duhet të lejojmë që në emër të qëllimit madhor të pavarësisë së drejtësisë nga politika, individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të postit të gjyqtarit apo prokurorit"- shtoi kryeministri gjatë komunikimit të tij me ndjekësit në rrjetet sociale. Versus.al







