POLITIKË /

“Aleksin dhe George Sorosin i kam miq”, Rama i përgjigjet Lacivitas: Mos i besoni historitë me kukulla e mjeshtra

Shkruar nga Versus

“Aleksin dhe George Sorosin i kam miq”, Rama i përgjigjet

Pas heqjes së fotove me Alex Soros, djalin e multimilarderit George Soros, kryeministri Edi Rama është pyetur nga komentuesit lidhur me marrëdhëniet që ka me ta që pas ardhjes së Christopher Lacivitas në krye të fushatës elektorale të PD.

Rama u shpreh se me Alex e George Soros do të vazhdojë të ketë miqësi ashtu si në të kaluarën dhe u bëri thirrje komentuesve që të linin debatet mes amerikanëve që t’i zgjidhin ata vetë.

“Unë Aleks Sorosin e kam pasur mik, të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që nuk kanë lidhje fare, nuk më impresionojnë. Siç kam miq Aleksin dhe të atin, kam miq të tjerë që nuk janë miq me ta. Mos u bëni qesharakë, lërini mes amerikanësh t’i zgjidhin me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten se jemi ne kërthiza e botës etj etj”- tha Rama.

Sa i takon fotos që Alex Soros publikoi dje me të dhe që solli reagimin e Lacivitas, kryesocialisti bëri thirrje që qytetarët të mos besojnë histori me “kukulla e mjeshtra”.

“Unë kam shumë miq që mes tyre janë kundërshtarë dhe nuk po filloj t’i numëroj, por merr e shih koleksionin e fotografive të mia dhe do shohësh që kjo që po të them është e vërtetë. Këto historitë me kukulla e mjeshtra kukullash, mos i hani, ose hajini po të doni po nuk iu çojnë asgjëkundi”- shtoi kryeministri.

Komentet Rama i bëri teksa u përgjigjej komentuesve në rrjetet sociale edhe lidhur me të ardhmen e SPAK dhe tërheqjen e Amerikës nga institucioni i posaçëm. Versus.al

Poll