
Mesnatën e sotme mbyllet afati përfundimtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dorëzimin e listave të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Partitë kryesore politike e kanë lënë dorëzimin e listave për në orët e fundit, teksa të socialistët dhe demokratët do të mblidhen sot në selitë e tyre për të caktuar kandidatët përfundimtarë.
Rama mbledh kryesinë e PS në orën 19:00, ndërsa para kësaj mbledhje do të zhvillojë një takim me drejtuesin politik për diasporën, ministrin Taulant Balla për emra potencialë kandidatë nga emigrantët shqiptarë.
Më herët kreu i qeverisë, ka deklaruar se deputetët të cilët kanë të paktën një mandat do të jenë në terren për të marrë vota dhe do të kandidojnë në listat e hapura. Përjashtim bëjnë këtu vetëm drejtuesit politikë në qarqe të cilët do jenë në listat e mbyllura. Nga ana tjetër nuk dihet ende nëse Rama do të kandidojë vetë si deputet.
Në kampin blu, Berisha mbledh kryesinë në orën 17:00 ndërsa në orën 19:00 Këshillin Kombëtar për përcaktimin e kandidatëve në lista, një pjesë prej të cilëve morën vota në primaret e zhvilluara në qarqe të ndryshme.
Vetë Berisha pritet të kandidojë si deputet në Tiranë në listën e mbyllur, ndërsa 8 vende të sigurta në lista ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Prej këtyre mandateve, 4 i merr Partia e Lirisë, 1 PR e Mediut, 1 Vangjel Dule dhe nga një për Idrizin dhe Partinë e Agron Dukës. Ilir Meta ngulmoi që të kandidonte në listën e hapur, edhe pse në burg prej tetorit të vitit të kaluar.
Tjetër koalicion në këto zgjedhje është ai i Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit me emrin “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe ai i Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit. Versus.al







