
Ervin Salianji ka zhvilluar sot takimin e radhës me anëtarë e simpatizantë të PD në Berat ku foli me gjuhë të ashpër sa i takon gjendjes së Partisë Demokratike me kritika për lidershipin e saj.
Ai tha se PD nuk ka luksin të përjashtojë asnjë person që thotë të vërtetën. Sa i takon zgjedhjeve të 11 majit, Salianji tha se sa herë që nuk ka patur përgjegjësi, humbjet kanë qenë edhe më të mëdha.
Ndër të tjera i kërkoi Berishës që të dorëhiqet nga kreu i PD dhe e pyeti se kundër kujt do të kandidonte në prill në situatën kur çdo zë kundër përpiqet ta përjashtojë.
“Tani kanë dalë edhe me tezë tjetër, kush mendon ndryshe përjashtohen. Po si mund të përjashtohen ata që kanë guximin ta thonë të vërtetën. PD nuk ka luksin të përjashtojë. Në PD duhen të gjithë, sipas kontributit që u takojnë. Demokratët e zgjuan PD nga një gjumë letargjik. Në zgjedhjet e 11 majit, PD ka humbur më thellë sesa në vitin e mbrapshtë 1997. Kur nuk ka pasur përgjegjësi, humbjet kanë qenë më të thella. . Ka humbësa që bëhen deputetë. Kemi edhe raste suksesi, edhe fitore, në zonat e majta, siç ishte rasti i Krujë, Fushë Krujës dhe duhen marrë si modele. Kryetari i partisë, nëse nuk arrin që partia të jetë fituese, nuk e bën fituese, dorëhiqet, jep dorëheqjen dhe i hap rrugën një gare tjetër. Këta nuk duan ta lejojnë as garën. Pse isha hero për lidershipin e PD para 3 muajsh, e tani që dua ta bëj PD fituese, qekam problematik se bëj takime. Si do ngrihet kjo parti pa garë reale për lidershipin? Demokratët duan garë, ndershmëri. Unë, jo vetëm që nuk më keqpërdor dot, as Edi Rama, as Sali Berisha, unë them atë që mendoj, që PD të jetë fituese. Nëse kundërshtarin e zgjedh, po e pyes drejtpëdrejt doktorin, me kë do kandidosh në prill doktor, me veten? Njerëzit duan ndryshimin, lidershipi i mban zvarrë me revolucione imagjinare", tha Salianji. Versus.al

