
Ndërkohë që situata në Partinë Demokratike është më e paqartë se kurrë, me deputetë të ndarë në disa grupe dhe së fundmi goditja me arrestimin e Ervin Salianjit, aleatëve të tjerë opozitarë duket se u ka sosur durimi.
Një prej tyre është kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka i cili në një intervistë të dhënë së fundmi për Report Tv është shprehur se Kodi Zgjedhor u imponon partive të vogla që të “strehohen’ nën një koalicion. Por theksoi se PD duhet të vlerësojë më së miri PAA-në, pasi sipas tij partia që drejton gjeneron një numër prej 44 mijë votash në total.
“Kodi Zgjedhor aktual është penalizues për partitë e vogla. Në këto kushte, partitë e dimensioneve tona, e kanë të domosdoshme të bashkëpunojnë me një nga blloqet e mëdha, PD ose PS. Nëse PD do të na mbajë në konsideratë, të na vlerësojë siç duam ne, atëherë mund të futemi me PD, në kushtet aktuale, është mundësia e vetme për të pasur përfaqësues në parlament. Aksionet tona, janë votat tona, nuk bëhet fjalë për kushte, në zgjedhjet e fundit vendore morën 44 mijë vota.. Ne i ofrojmë votat, sipas këtyre votave, ne na takon të kemi më shumë se 1 mandat në listat hermetike të mbyllura, ndërsa jashtë duam në çdo qark, sepse s’kemi si i mbledhim votat, nëse shihet e arsyeshme, heqim vetëm nga qarqet e vogla”, tha Agron Duka.
Gjithashtu ai u shpreh se nuk e përjashtonte as mundësinë e një koalicioni me Partinë Socialiste.
Pyetje: A keni vijë të kuqe për bashkëpunim?
Përgjigje: Nuk kemi!
Më herët edhe një tjetër aleat si Dashamir Shehi i LZHK-së braktisi PD-në duke deklaruar se do jetë pjesë e një koalicioni të ri opozitar së bashku me Enkelejd Alibeajn dhe Flutura Açkën ku pritet të bashkohen dhe parti të tjera të vogla. Në këto kushte, opozita duket më e përçarë se kurrë dhe larg qëllimit që të bëhen bashkë për të mposhtur qeverinë në zgjedhjet parlamentare të cilat janë larg vetëm pak muaj. Versus.al








