POLITIKË /

“Punonjës të bashkisë të armatosur”, Berisha për mbështetësit e Veliajt: S’do shohin punë shteti me sy për 25 vite

Berisha deklaroi se nëse konfirmohet se në protestë ka pasur zyrtarë të cilët kanë lënë orarin e punës, nëse PD vjen në pushtet, ata nuk do kenë mundësi punësimi në shtet.

Shkruar nga Versus
“Punonjës të bashkisë të armatosur”, Berisha
Fotomontazh: Mbështetësit e mbledhur jashtë SPAK për Veliajn dhe kryedemokrati Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës me mediat tha se dosja për të cilën është hetuar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, është e gjitha e përgatitur nga qeveria.

Ndërsa sa i takon mbështetësve të mbledhur mëngjesin e sotëm jashtë godinës së SPAK e GJKKO ku mbahej seanca për masën e Veliajt, Berisha u shpreh se të pranishmit ishin punonjës të bashkisë.

“A i patë ju sot punonjësit e bashkisë tek Skapi i partisë? Mos harroni se ata paguhen nga taksat e qytetarëve. Dhe ata marrin rrogat nga taksat e qytetarëve për t’u shërbyer qytetarëve dhe ata braktisin qytetarët dhe shkojnë për t’u bërë parzmore e një hajduti. A mund të ndodhë kund? Keni dëgjuar kund ju? Kur kryeministri urdhëron veprime të tilla, fakton njëherë dhe njëqind herë se është një padrino”- tha Berisha.

Jo vetëm kaq, por kryedemokrati tha se mes të pranishmëve kishte policë bashkiakë të armatosur që shtireshin thjesht si mbështetës të Veliajt. Ndërsa paralajmëroi se kushdo zyrtar që ka shkuar në mbështetje të kryebashkiakut të arrestuar gjatë orarit të punës, nuk do ketë mundësi të punojë më në shtet për 25 vitet e ardhshme.

“Plus po hetojmë se kanë qenë të armatosur. Unë i garantoj punonjësit e bashkisë se me listë secili prej tyre që do të shkojë të protestojë gjatë orarit zyrtar, nuk do shohë punë shteti të paktën për 25 vite. Me listë. Po, qytetarë të cilët po festonin arrestin e Erion Veliajt, u arrestuan sepse shpëtoi kryeqyteti nga hajdutë, kurse këta mobilizojnë policinë.

Thashë edhe njëherë, do e vërtetoj nëse kanë qenë me armë apo armë këta të policisë bashkiake, por sidoqoftë kanë qenë në orar zyrtar. Dhe ata, ua them këtu, do kenë dënime shumë të rënda për aktin që kanë bërë”- shtoi kryedemokrati.

Dhjetëra persona u mblodhën dhe pritën me duatrokitje Veliajn pasi mbërriti në godinën e GJKKO. Prania e tyre shkaktoi kaos në trafikun e rrugës, ndërsa policia, fillimisht nuk u duk asgjëkundi. Versus.al

Poll