Nëna e 12-vjeçares, e cila dyshohet se është abuzuar seksualisht për rreth dy vite nga bashkëjetuesi i saj Kelmend Krusa në Gjirokastër, ka reaguar për herë të parë duke e mbrojtur atë publikisht.
Në një prononcim për Top News, ajo mohoi kategorikisht që partneri i saj të ketë ngacmuar apo abuzuar të bijën, duke deklaruar se me Krusën nuk ka patur asnjëherë probleme dhe se nuk ka bërë asnjë denoncim ndaj tij.
Ajo shtoi se nuk kishte dijeni për kallëzimin që ka bërë vajza në polici dhe theksoi se denoncimi, sipas saj, është për “ngacmim seksual” dhe jo për përdhunim.
Sipas saj, policia ka shkuar në banesë, ka kryer kontroll dhe më pas i ka shoqëruar, por ajo insiston se “ai nuk i ka bërë asgjë vajzës” dhe i cilëson pretendimet si gënjeshtra.
“Unë jetoja me Kelmendin, nuk kemi patur probleme asnjëherë. Policia ka ardhur na ka kontrolluar shtëpinë dhe pastaj na ka shoqëruar. Unë nuk kam bërë denoncim sepse ai nuk i ka bërë asgjë vajzës. Janë të gjitha gënjeshtra. Nuk kam as dyshime mbi këtë gjë. Denoncimin e ka bërë vajza për ngacmim seksual, jo për përdhunim.”- është shprehur ajo.
Ndërkohë, ndaj Kelmend Krusës rëndojnë dyshime shumë më të rënda, pasi ai akuzohet jo vetëm për abuzim seksual ndaj 12-vjeçares, por edhe si i përfshirë në vrasjen e babait të saj, Artur Lleshi, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 në Dibër.
Trupi i pajetë i 31-vjeçarit u gjet disa muaj pas zhdukjes, i qëlluar me armë zjarri brenda një tuneli në fshatin Gjuras të Bulqizës.
Pas zhdukjes dhe më pas gjetjes së bashkëshortit të saj të vrarë, nëna e vajzës u largua drejt Gjirokastrës, ku nisi bashkëjetesën me Kelmend Krusën dhe mori me vete edhe fëmijët./Versus.al


