AKTUALITET /

5 ditë bojkot nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami

Në një vendim unanim, Komiteti thekson se pas kontaktit të drejtpërdrejtë me avokatin Barjami dhe shqyrtimit të hollësishëm të ngjarjes, situata është vlerësuar si “tepër e rëndë” dhe kërkon reagim institucional urgjent.

Shkruar nga Versus

5 ditë bojkot nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë pas

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, në përgjigje të arrestimit të avokatit Ulian Barjami, ka shpallur bojkot 5‑ditor të të gjitha proceseve penale në të gjitha nivelet, nga data 20 deri më 25 tetor.

Në një vendim unanim, Komiteti thekson se pas kontaktit të drejtpërdrejtë me avokatin Barjami dhe shqyrtimit të hollësishëm të ngjarjes, situata është vlerësuar si “tepër e rëndë” dhe kërkon reagim institucional urgjent.

Bllokimi i proceseve gjyqësore përfshin si çështjet në hetim, ashtu edhe ato në gjykim — në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor, përfshirë edhe ­Gjykata Kushtetuese — ndërsa përjashtim nga bojkoti bëhen vetëm çështjet që lidhen me masat e sigurimit personal (caktim, ndryshim, zëvendësim ose shuarje).

Në vendim argumentohet se mos‑pjesëmarrja e avokatëve gjatë kësaj periudhe do të trajtohet si “arsye objektive për shtyrjen e seancave gjyqësore”, dhe se shkelja e vendimit nga ndonjë avokat do të përbëjë “shkelje të rëndë disiplinore”, me pasojë deri te pezullimi ose heqja e licencës për ushtrimin e profesionit.

Ndër të tjera, Dhomës së Avokatisë i është drejtuar angazhim urgjent nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të shqyrtuar rastin në mënyrë të menjëhershme.

5 ditë bojkot nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë pas

Arrestimi i avokatit Ulian Barjami 

Avokati Ulian Barjami u arrestua të shtunën, më 18 tetor, pasi gjatë një seance gjyqësore akuzohet se ka kërcënuar një prokuror. Ngjarja ka ndodhur në kuadër të procesit ndaj shtetasit ­Maksim Lika (i njohur edhe me nofkën “Suci”), të cilin Barjami e përfaqësonte ligjërisht. 

Gjatë seancës për masën e sigurisë, avokati Barjami u shpreh: “Kërkesa e prokurorit për caktim mase bazohet në disa prova. Një ndër to tregon që ka pasqyrim të rremë të të dhënave, dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin edhe me gjithë oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim.”
Në përgjigje, prokurori i çështjes, Gjergji Ceka, reagoi me tone të ashpra: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”
Gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyri duke thënë: “Avokat, nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle.”
Barjami përsëri insiston: “Konstatoj vepër penale…”
Gjyqtarja: “Do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Ky lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja e të pandehurit tënd ose do të caktohet një avokat kryesisht dhe do të të nxjerr përjashta. Paralajmërimi i fundit.”

Kush është Maksim Lika (alias “Suci”)

Maksim Lika është ndaluar më herët gjatë një aksioni blic të zhvilluar në Elbasan, dhe dyshohet për lidhje me personazhe të botës së krimit, përfshirë Emiljano Shullazi. Lika u arrestua më 13 tetor 2025 së bashku me të paktën 10 persona, në kuadër të operacionit policor “Fast”, në Elbasan. Ai po hetohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim me policinë, me tre pistoleta të sekuestruara gjatë ndërhyrjes. 

Poll